“Serbia nuk lejon pjesëmarrjen e delegacionit kosovar në konferencën në Beograd”

 Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës bëri të ditur se Serbia ka penguar dhe nuk ka lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në konferencën “Pavarësia Ekonomike e grave rome: sfidat dhe shkaqet e hershme”, që ishte paraparë të mbahej në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Në një komunikatë nga MPJ e Kosovës thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje të thellë, e konsideron si absolutisht të papranueshme, shkelje me paramendim të Marrëveshjes për Përfaqësim të Kosovës në Nismat dhe Organizatat Rajonale dhe Lirinë e Lëvizjes së lirë si parim fundamental evropian veprimin e fundit të autoriteteve zyrtare të shtetit fqinj – Serbisë, për pengesat dhe moslejimin e pjesëmarrjes së delegacionit të Republikës së Kosovës në Konferencën: “Pavarësia Ekonomike e grave rome: sfidat dhe shkaqet e hershme”, që ishte paraparë të mbahej nga data 31 tetor deri më 1 nëntor në Beograd”.

Duke theksuar se MPJ e Kosovës ka ndërmarrë me kohë të gjitha hapat dhe veprimet dhe se kishte njoftuar autoritetet përgjegjëse të Serbisë në lidhje me vizitën dhe përbërjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në këtë ngjarje, në komunikatë thuhet se “Por, vetëm disa orë para mbajtjes së aktivitetit është njoftuar nga Qeveria e Serbisë se ‘delegacioni nga Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të marrë pjesë në konferencë’”.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se këto veprime nga fqinji verior, veç të tjerash i kanë pamundësuar Republikës së Kosovës përcjelljen e trendeve rajonale dhe qasjes ndaj pozitës së komunitetit rom në rajon dhe janë në kundërshtim të plotë me përkushtimin deklarativ për bashkëpunim rajonal, frymën dhe vlerat evropiane dhe zotimin e shprehur për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve”, thuhet më tej në komunikatë.

MPJ e Kosovës bën të ditur se kjo konferencë ishte organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), zëvendës kryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviq, Trupi Koordinues për Monitorimin e Implementimit të Strategjisë për Përfshirjen Sociale të Romëve në Republikën e Serbisë dhe CARE International.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne