Shantazhi i Edi Ramës ndaj Kushtetueses me prangat e Veliajt

Shfaqja e Veliajt i shoqëruar nga policët e burgjeve, në një seancë që nuk kishte natyrë penale, është lexuar si një demonstrim force i qeverisë ndaj Kushtetueses dhe një paralajmërim i hapur për vendimin që pritet…


Erion Veliaj u paraqit sot në Gjykatën Kushtetuese jo si i pandehur, por si kryetar bashkie që ka kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij. Pamjet e tij i prangosur, nën shoqërimin e policëve të burgjeve, nuk ishin një procedurë ligjore, por një akt politik që cënon ndarjen e pushteteve dhe dërgon sinjale frikësuese ndaj trupës gjyqësore.

Në dukje, seanca e sotme në Gjykatën Kushtetuese ishte thjesht një proces institucional: Erion Veliaj në rolin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës që kundërshton shkarkimin e tij, duke kërkuar interpretim nga organi më i lartë i drejtësisë. Por mënyra se si ai u paraqit, i shoqëruar nga policët e burgjeve, i prangosur dhe i ekspozuar para kamerave, e ktheu këtë ngjarje në një demonstrim të qartë politik.

Në vend të një atmosfere zyrtare e të qetë, vendi pa një shfaqje presioni ndaj Kushtetueses, e cila pritet të vendosë për fatin politik të kryetarit të bashkisë, por edhe për kufijtë e kompetencave të qeverisë.

Veliaj nuk është i pandehur penal, as subjekt nën arrest për akuza të SPAK-ut. Në këtë proces ai është palë kushtetuese, një institucion që i drejtohet një tjetër institucioni të pavarur për interpretim ligjor.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë dhe Policia e Burgjeve e trajtuan si një të dënuar ordiner, duke shkelur çdo protokoll që rregullon raportin mes institucioneve.

Sipas rregullave procedurale, një person që merret nga qelitë e paraburgimit për një proces gjyqësor dorëzohet tek përfaqësuesit ligjorë apo administrata e gjykatës, jo i shoqëruar nga uniformat brenda sallës.

Në këtë rast, policët e burgut hynë në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, duke e kthyer institucionin më të lartë të drejtësisë në një skenë simbolike të nënshtrimit.

Ky akt është më shumë se një gabim protokollar, është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e qeverisë në pavarësinë e Kushtetueses.

Burime nga brenda sistemit gjyqësor konfirmojnë se qeveria, në mënyrë të tërthortë, është palë në këtë proces, pasi vendimi për shkarkimin e Veliajt është produkt i një përplasjeje të hapur politike mes mazhorancës dhe strukturave të drejtësisë.

Në këtë kontekst, hyrja me pranga në duar përballë gjyqtarëve të Kushtetueses nuk është rastësi, por një mesazh i koduar: Rama kërkon të tregojë se vendimet e gjykatave nuk janë të pavarura, por të kushtëzuara nga vullneti i ekzekutivit.

Mungesa e çdo reagimi nga Ministria e Drejtësisë vetëm e konfirmon këtë. Institucioni që duhej të qartësonte procedurat për rastet kur përfaqësues të institucioneve ndodhen në proces gjykimi, nuk ndërhyri, duke e lënë të qartë se gjithçka ishte bërë me koshiencë politike.

Në këtë rast, shteti u bë palë me forcë brenda një institucioni që e interpreton vetë ligjin. Një akt që e shkel parimin themelor të ndarjes së pushteteve dhe që përbën precedent të rrezikshëm për të ardhmen e pavarësisë gjyqësore.

Nëse qëllimi i Ramës ishte të frikësonte trupën gjykuese të Kushtetueses, atëherë mesazhi është kuptuar. Por në të njëjtën kohë, ky veprim e ka bërë edhe më të dukshme krizën e besimit mes pushteteve, ku qeveria tenton të imponojë autoritetin e saj mbi drejtësinë.

Për herë të parë, Gjykata Kushtetuese është vënë në provë për të mbrojtur jo vetëm një çështje ligjore, por integritetin e vet institucional.

Ndërkombëtarët e kanë lexuar këtë ngjarje si shkelje flagrante të parimeve të shtetit ligjor. Një vend që aspiron integrimin europian, nuk mund të lejojë që një ministër apo kryeministër të shndërrojë një proces gjykimi kushtetues në instrument të propagandës së vet politike.

Në fund, çështja Veliaj është vetëm preteksti; në thelb, kemi të bëjmë me një përplasje të hapur mes drejtësisë dhe pushtetit ekzekutiv, ku prangat nuk i vihen individit, por vetë Kushtetueses./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq