Bota

SHBA do të marrë “masa mbrojtëse” kundër palestinezëve

Koordinatori i SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit Nathan Sales të martën tha se vendi i tij do të marrë “masa mbrojtëse” sa i përket refuzimit të mundshëm nga ana e Palestinës të planit jozyrtar të njohur si “marrëveshja e shekullit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetën izraelite Yedioth Ahronoth, Sales i cili aktualisht ndodhet për vizitë në Izrael, tha se do të merren masat në pritje të “kundërshtimit aktiv nga Autoritetet Palestineze”.

Nuk janë zbuluar më shumë detaje rreth këtyre masave.

Kushtet e planit të paqes të Washingtonit mbeten të paqarta. Por, sipas spekulimeve të fundit, refugjatëve palestinezë do t’u kërkohet të pranojnë të drejtën e tyre për t’u kthyer në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për të bërë rrugë për shtetin e ri të Izraelit.

Sales ka vizituar Kerem Shalom, vendkalimin e vetëm tregtar të Gazës së bllokuar, si dhe një tunel 8-metërsh që pretendohet se është gërryer nga grupi palestinez Hamas mes Gazës dhe Izraelit.

Sales udhëheq delegacionin amerikan që aktualisht qëndron për vizitë për të marrë pjesë në dialogun vjetor me Izraelin sa i përket luftës kundër terrorizmit.

Autoriteti Palestinez ka hedhur poshtë çdo ndërmjetësim të SHBA-ve në bisedimet e paqes me Izraelin, që nga dhjetori i vitit 2017 kur presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në mënyrë të njëanshme e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit, duke shkaktuar një protestë botërore.

Kudsi mbetet në zemër të konfliktit të Lindjes së Mesme, me palestinezët duke shpresuar që Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, një ditë do të shërbejë si kryeqytet i një shteti të pavarur palestinez./ AA

OPINIONE