“SHBA duhet ta dënojë Arabinë Saudite”

Senatori amerikan i Partisë Republikane, John Kennedy, tha se vendi i tij duhet të dënojë Arabinë Saudite nëse ajo konstatohet fajtore për zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Në një deklaratë për gazetarët, Kennedy tha se nëse pretendimet në lidhje me fatin e gazetarit Khashoggi vërtetohen, atëherë Kongresi do të jetë i hapur për të diskutuar me presidentin Donald Trump mënyrën se si do të dënohet Arabia Saudite pa shkaktuar probleme në Lindjen e Mesme.

“Ka një sërë alternativash. Mund t’i dëboni diplomatët. Mund të merrni vendim në OKB. Mund të kufizoni shitjen e armëve. Mund të zbatoni sanksione ndaj individëve të caktuar”, tha Kennedy në lidhje me masat që SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar mund të ndërmarrë ndaj Arabisë Saudite.

“Politika jonë e jashtme duhet të jetë e lidhur me vlera. Kjo është Amerika. Nuk mund të izolohemi nga pjesa tjetër e botës”, shtoi Kennedy.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Sipas burimeve të sigurisë, Khashoggi shkoi në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll për procedura të martesës, ndërsa më pas u konfirmua se nuk është larguar më nga konsullata dhe se në të njëjtën orë në ndërtesën e konsullatës kanë mbërritur 15 qytetarë sauditë, duke përfshirë edhe zyrtarë të cilët më pas janë kthyer në vendet nga kishin ardhur.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne