SHBA, dy kongresmenë rezultojnë pozitiv me koronavirus

Kongresmeni republikan në SHBA, Mario Diaz-Balart ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit, duke u bërë ligjvënësi i parë amerikan që është prekur nga Covid-19.

Në llogarinë e tij në Twitter, republikani në Florida tha se të shtunën përjetoi simptoma, përfshirë ethe dhe dhimbje koke.

“Dua që të gjithë ta dinë se ndjehem shumë mirë”, tha 58-vjeçari, Diaz-Balart.

Disa orë më vonë, republikani 45-vjeçar Ben McAdams nga Utah, tha se ai po ashtu rezultoi pozitiv pasi mbrëmjen e së shtunës kishte përjetuar “simptoma të buta të ngjashme me të ftohtin”.

“Simptomat e mia u përkeqësuan dhe kisha ethe, kollitje të thatë dhe frymëmarrje të vështirë, si dhe mbeta në karantinë. Të martën, mjeku im më udhëzoi të bëja testin për Covid-19 dhe pas referimit të tij shkova në klinikën lokale për testin. Sot mësova se rezultova pozitiv”, tha McAdams.

Dy rastet e para të konfirmuara vijnë disa ditë pasi disa ligjvënës të tjerë, përfshirë senatorin Lindsey Graham, u vendosën në karantinë pas kontaktit me dikë që u testua pozitiv.

Të dy ligjvënësit kërkuan nga publiku që ta marrin virusin jashtëzakonisht seriozisht.

Sipas Universitetit “John Hopkins”, nga Covid-19 janë infektuar mbi 214 mijë persona në të gjithë botën, përfshirë mbi 7.700 në SHBA, ndërsa kanë vdekur rreth 8.700 persona, përfshirë të paktën 118 në SHBA./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne