SHBA, EBA dhe Izraeli me strategji të përbashkët në fushën e energjisë

SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli ranë dakord të zhvillojnë një strategji të përbashkët në fushën e energjisë.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të lajmeve WAM të EBA-së, bëhet e ditur se ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së EBA-së, Suhail Al-Mazrouei, sekretari amerikan për Energjinë, Dan Brouillette dhe ministri izraelit i Energjisë, Yuval Steinitz, publikuan një deklaratë të përbashkët për “zhvillimin e një strategjie të përbashkët në fushën e energjisë e cila do të çojë në më shumë inovacione dhe mirëqenie”.

“EBA, SHBA dhe Izraeli kanë pranuar rëndësinë e përqendrimit në hapat praktikë që japin rezultate konkrete në fushën e energjisë”, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se Washingtoni, Abu Dhabi dhe Tel Avivi janë dakorduar për të nxitur më shumë koordinim në fusha të tilla si energjia e rinovueshme, efikasiteti i energjisë, burimet e naftës, gazit natyror si dhe teknologjitë e shkripëzimit”.

Në deklaratë vihet në dukje se ekonomitë dinamike të tre vendeve në fjalë dëshirojnë të përfitojnë nga zhvillimet dhe kërkimet kryesore në botë për të përballuar nevojat e brezave aktualë dhe të ardhshëm.

Sipas deklaratës vendet janë të vendosura për zhvillimin e mundësive të bashkëpunimit nëpërmjet takimeve shumëpalëshe. Këto do ta realizojnë në mënyrë të koordinuar me institucionet financiare dhe sektorin privat me qëllim për të forcuar investimin ndërkombëtar dhe të kërkojnë, zhvillojnë dhe miratojnë teknologji të reja të energjisë.

“Tre vendet duke zhvilluar burimet e energjisë, teknologjisë dhe infrastrukturës po përpiqen të gjejnë zgjidhje edhe ndaj problemeve për energjinë me të cilën po përballet populli i Palestinës”, thuhet në deklaratë.

Izraeli më 23 shtator propozoi që edhe EBA të marrë pjesë në Forumin e Gazit të Mesdheut Lindor.

“Forumi i Gazit të Mesdheut Lindor” u themelua nën organizimin e Egjiptit më 16 janar 2019 me pjesëmarrjen e ministrave të Energjisë së Greqisë, Qipros greke, Izraelit, Egjiptit, Italisë dhe Jordanisë.

Në takimin e dytë që Forumi i Gazit të Mesdheut Lindor zhvilloi më 16 janar 2020, u arrit dakordimi në drejtim të institucionalizimit mbi bazën e “sigurisë së energjisë për interesin e popujve të shteteve anëtare”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne