Bota

Pakistani mohon praninë e ushtrisë së tij në Azerbajxhan

Pakistani sot ka hedhur poshtë raportet e mediave indiane se ushtria pakistaneze po lufton së bashku me forcat e Azerbajxhanit kundër Armenisë për Malësinë e Karabakut të pushtuar.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se raporte të tilla janë “të papërgjegjshme, spekulative dhe të pabazuara”.

Ministria, duke përsëritur pozicionin e vendit të saj mbi këtë çështje, deklaroi se Pakistani është thellësisht i shqetësuar për përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajonin e Malësisë së Karabakut.

“Granatimet intensive nga forcat armene ndaj popullatës civile të Azerbajxhanit janë të dënueshme dhe më fatkeqe. Kjo mund të komprometojë paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit. Armenia duhet të ndalojë veprimin e saj ushtarak për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, thuhet në deklaratë.

“Pakistani mbështet pozicionin e Azerbajxhanit për Malësinë e Karabakut, i cili është në përputhje me disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të miratuara njëzëri”, thuhet në deklaratë.

Të martën, disa media indiane raportuan se ushtarët pakistanezë po luftojnë së bashku me trupat e Azerbajxhanit kundër agresionit të Armenisë.

Përleshjet kufitare shpërthyen të dielën kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile dhe pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit, duke shkaktuar viktima.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të paqëndrueshme që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Fuqitë botërore, përfshirë SHBA-të, Rusinë, Francën dhe Gjermaninë, kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përleshjeve përgjatë kufirit.

Ndërkohë, Turqia ka shprehur mbështetje për të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe shumë organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave okupuese.

Grupi i Minskut të OSBE-së, i bashkë-kryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-të, u formua në vitin 1992 për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktin, por pa rezultat. Një armëpushim u dakordua në vitin 1994./AA