SHBA, gjykata vendos se Trump ka mashtruar shumë banka dhe sigurues

Një gjykatë në SHBA ka vendosur se ish-presidenti Donald Trump ka mashtruar shumë persona dhe institucione gjatë viteve derisa ndërtonte perandorinë e tij të pasurive të paluajtshme.

Në padinë civile të ngritur nga kryeprokurorja e New Yorkut, Letitia James mësohet se gjykatësi Arthur Engoron ka dhënë vendimin se ish-presidenti dhe kompania e tij “Trump Organization” kanë mashtruar bankat, siguruesit dhe të tjerët duke fryrë (ekzagjeruar) pasurinë neto dhe duke mbivlerësuar asetet e tyre në marrëveshjet dhe dokumente financimi.

Engoron, në vendimin e tij prej 35 faqesh, vuri në dukje se Trump dhe kompania e tij si dhe drejtuesit e saj, kanë marrë kredi me kushte të favorshme dhe prime të ulëta sigurimi duke gënjyer vazhdimisht për gjendjen e tyre financiare vjetore.

“Këto taktika kanë tejkaluar kufirin e tyre dhe kanë shkelur ligjet”, tha Engoron i cili për bërjen më të vështirë të kryerjes së biznesit në New York ka urdhëruar që disa licenca biznesi të Trumpit të shpërbëhen dhe që operacionet e kompanisë të kontrollohen nga një vëzhgues i pavarur.

Me vendimin e gjyqtarit Engoron, është dhënë vendimi më i rëndësishëm në akuzat në çështjen e kryeprokurores James, por 6 akuzat e tjera në aktakuzë do të shpallen në gjykimet pa juri që do të fillojnë më 2 tetor. Gjykimi mund të zgjasë deri në dhjetor.

Në aktakuzën ku kryeprokurorja James pretendon se Trump mbivlerësoi pasurinë e 3 fëmijëve të tij më të mëdhenj dhe kompanisë së tij me 3.6 miliardë dollarë dhe kërkon nga gjyqtari të ndalojë Trumpin dhe fëmijët e tij që të mos themelojnë më kompani në New York, shit-blerjen e pasurive të paluajtshme tregtare gjatë 5 viteve dhe dënimin e tyre me 250 milionë dollarë.

Kryeprokurorja James ka paditur më parë Trumpin për përdorimin e institucionit të tij të bamirësisë për interesat e tij politike dhe biznesit. Ish-presidenti Trump i cili u shpall fajtor si ndëshkim u dënua me pagesën e 2 milionë dollarëve ndaj një sërë institucioneve të ndihmës dhe Fondacioni Trump u mbyll./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne