Bota

SHBA i vë sanksione 17 sauditëve për vrasjen e Khashoggit

Administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur sanksione ndaj 17 personave për shkak të rolit të tyre në vrasjen e gazetarit saudit, Kemal Khashoggi. Sanksionet e reja nga Departamenti i Thesarit erdhën disa orë pasi prokurorët sauditë deklaruan se do ta kërkojnë dënimin me vdekje për pesë personat e akuzuar për vrasjen e gazetarit, i cili publikonte shkrime në gazetën amerikane “The Washington Post”.

“Zyrtarët sauditë që janë në listën e të sanksionuarve, ishin të përfshirë në vrasjen e tmerrshme të Jamal Khashoggit. Këta individë që e vunë në shënjestër dhe e vranë në mënyrë brutale një gazetar që punonte në Shtetet e Bashkuara, duhet të përballen me pasojat e veprave të tyre”, tha sekretari amerikan i thesarit, Steven Mnuchin.

Në anën tjetër, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, lëshoi një deklaratë, në të cilën tha se Departamenti i Shtetit do ta vazhdojë kërkimin e të gjitha dëshmive të rëndësishme, të këshillohet me Kongresin dhe të punojë me kombet tjera për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që janë të përfshirë në vrasjen e Khashoggit.

Administrata e Donald Trumpit po sillet në mënyrë të kujdesshme me Arabinë Saudite për shkak se shpreson ta ketë aleate në arritjen e disa qëllimeve strategjike, përfshirë arritjen e paqes me izraelitëve dhe palestinezëve dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve të naftës.

Vrasja e gazetarit i ka vënë në pah edhe lidhjet biznesore të Trumpit me Arabinë Saudite. Kjo është vërejtur edhe në deklaratat e Trumpit për durim dhe dhënie të hapësirës për Arabinë Saudite që ta përfundojë hetimin, duke e theksuar në anën tjetër edhe rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, shkruan “CNN”.

OPINIONE