Bota

SHBA kërcënon Turqinë me “sanksione”

Departamenti Amerikan i Shtetit, njoftoi se mund të aplikohen sanksione të ndryshme në rast se Turqia merr nga Rusia sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, transmeton Anadolu Agency.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Robert Palladino, në një konferencë për shtyp ka folur në lidhje me përpjekjen e Turqisë për të marrë sistemin S-400 nga Rusia.

Palladino është shprehur se pozicioni i SHBA-ve në çështjen e S-400 nuk ka ndryshuar dhe sipas tij përpjekja e Turqisë për të marrë këto sisteme nga Rusia shqetëson në mënyrë serioze SHBA-në.

“Në rastin e blerjes së S-400 nga Rusia ne e kemi paralajmëruar hapur Turqinë se kjo do të shkaktojë rivlerësimin e pjesëmarrjes së saj në programin e avionëve F-35 dhe se do të rrezikojë transferimin e armëve të tjera të mundshme në të ardhmen. Ne gjithashtu kemi deklaruar se të gjitha institucionet dhe personat publik ose privat që përfshihen në blerjen e S-400 mund të përballen me sanksione të mundshme në kuadrin e Ligjit të Luftës me Sanksione kundër Armiqve të Amerikës (CAATSA)”, ka theksuar Palladino.

Ai ka bërë të ditur se në lidhje me sistemin e mbrojtjes ajrore po punojnë së bashku me Turqinë dhe se i kanë propozuar asaj që të vlerësojë sistemet Patriot dhe sistemet e tjera.

Ligji i Luftës me Sanksione kundër Armiqve të Amerikës (CAATSA) të cilin e nxori Kongresi Amerikan vitin e kaluar parashikon zbatimin e sanksioneve ndaj kompanive dhe vendeve të treta që punojnë me organizata dhe institucione të lidhura me mbrojtjen dhe inteligjencën ruse.

Edhe Komandanti i Lartë i Forcave Evropiane të SHBA-ve (EUCOM) dhe i Forcave Aleate të NATO-s, gjenerali Curtis M. Scaparrotti, i cili mori pjesë dje në një seancë në komitetin e shërbimeve të armatosura të Senatit, ishte shprehur se avionët F-35 nuk duhet t’i jepen Turqinë në rast se ajo merr nga Rusia sistemet e mbrojtjes ajrore S-400.

OPINIONE