SHBA kërkon lista të hapura në zgjedhje. A do të pranojë “mbretërit” e politikës të hapet sistemi?

Ambasadorja e SHBA-ve, i ka rekomanduar tryezës së Reformës Zgjedhore, një sistem elektoral, të ngjashëm me atë danez, sistem proporcional rajonal me votim preferencial.

Ky sistem, i quajtur ndryshe ‘D’Hondt’, është i përbërë nga dy lista ku tek e para është lista e hapur ku mund të votohet preferencialisht kandidati për deputet kurse tek e dyta është ajo e mbyllur kombëtare ku votohet partia respektive.

Nëse Shqipëria do të adoptote një sistem të tillë, kjo do t’i hapte rrugë edhe forcave të reja politike, të cilat do të kenë më shumë shans të përfaqësohen në parlament, rrjedhimisht qytetarët shqiptarë nuk do të votojnë vetëm për listat e mbyllura të partive të vjetra që i shkruajnë kryetarët, por për individë konkretë.

Por, a do ta pranojnë kryetarët e partive aktuale, një sistem të tillë, të propozuar nga amerikanët?

Duket se nga të dyja palët ka hezitim.

Përfaqësuesi i opozitës në tryezën e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dha sinjalin se nuk po mendohet ndryshimi i sistemit. Ai tha se problemi në Shqipëri nuk është sistemi, por fakti se humbësi nuk pranon rezultatin (?)

“Zgjedhjet nuk kanë qenë problem sistemi, por mos pranimi i rezultatit nga humbësit. Jo për shkak se ligji ka qenë i keq, jo se vendi s’ka ditur të bëjë zgjedhje. Humbësat zakonisht mallkonin sistemin. Si kemi ecur deri tani me ndryshimin e sistemit? Reforma Zgjedhore duhet të ketë dakordësi se përfaqësojnë elektoralin e saj, përfshirja e PD-së ishte dhe është e domosdoshme, por brenda limiteve që përcakton koha”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha e ka braktisur tryezën e reformës zgjedhore, për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar, por me gjasë ata që protestojnë kundër këtij akti brutal, duan sa më shpejt të kenë mundësi të zgjedhin, jo vetëm listat që do të përpilojë Basha dhe Rama, por përfaqësues me emër dhe mbiemër.
Basha deklaroi ditën e djeshme pas protestës, se “nuk e ka parë”, një propozim amerikan për zgjedhjet. Është mjaft e çuditshme që kryetari i opozitës të mos jetë informuar për këtë ngjarje kaq madhore, sidomos kur propozimi vjen nga selia e ambasadës së SHBA.

Hezitimi për të lejuar që populli shqiptar të votojë për emra konkretë dhe jo vetëm numra, apo që parti të reja politike të kenë shansin e përfaqësimit është i kuptueshëm. Kryetarët e tre partive aktuale, janë “mbretër” të politikës shqiptare, është e vështirë që ata të firmosin me dorën e tyre, hapjen e sistemit. Në këtë pikë, ata do të jenë gjithmonë bashkë, për të ruajtur pushtetin e tyre.

/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne