SHBA në prag të ndryshimit të ekuilibrit botëror?

Me intensifikimin e deklaratave kërcënuese midis liderëve të SHBA dhe të Koresë së Veriut, janë rritur parashikimet për një konfrontim ushtarak midis dy vendeve të cilat posedojnë arsenal të shumtë të armëve bërthamore.

Padyshim se çdo përballje ushtarake midis këtyre dy vendeve, do të kishte pasoja të paparashikueshme për shumë vende të botës, e posaçërisht për vendet fqinje të teatrit të luftës në Gadishullin korean. Në bazë të përllogaritjeve të bëra nga shumë ekspertë dhe analistë politikë, në rast të një lufte midis SHBA dhe Koresë së Veriut, do të krijoheshin pa asnjë dyshim kushtet për ndryshimin e ekuilibrit të fuqive botërore, kur SHBA nga një superfuqi numër një botë, do të pësonte në masë të madhe dhe do t’u krijonte kushtet Kinës e pse jo edhe Rusisë të rrisnin edhe më shumë ndikimin në qarqe të ndryshme globale. Forma e kërcënimeve përmes sanksioneve nuk ka dhënë fryt kundër Koresë së Veriut dhe këtë gjë e dinë edhe liderët e vendeve më të fuqishme, prandaj në rast se nuk do të ketë tërheqje të ndonjërës palë nga qëndrimet e tyre, rreziku nga një katastrofë e madhe me përmasa të gjera globale do të jetë gjithnjë e më afër. Qëndrimet e paqarta dhe të dyshimta të dy superfuqive tjera botërore (Kinës dhe Rusisë) ndaj situatës së krijuar në Gadishullin Korean, japin mundësinë të kuptohet se çdo konfrontim i Amerikës me një vend që posedon armatime bërthamore, do të ishte në favor të tyre dhe do t’i krijonin atyre shansin për të ripozicionuar veten në rrafshin global.

Edhe pse që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk ka pasur ndonjë konflikt madhor midis fuqive të mëdha, ekzistojnë vatra apo fronte të cilat mund të shpien deri tek një konfrontim i tillë. Edhe pse fronti mes Rusisë dhe Evropës aktualisht shihet si i izoluar, sidomos që nga ardhja në pushtet e presidentit amerikan Donald Trump, ka bërë që vendet e fuqishme evropiane të humbin besimin tek SHBA dhe të fillojnë një kurs të ritë diplomacisë me Rusinë, prapëseprapë ekzistojnë premisa shumë të qartë që mund të krijojnë kushtet e një ballafaqimi midis dy blloqeve, duke pasur parasysh çështjen e Krimesë dhe ofrimin e Ukrainës me BE, gjë e cila nuk i ka pëlqyer aspak Rusisë. Një konfrontimi kolosal mund t’i shërbejë edhe situata në Lindjen e Mesme, kur që nga koha e krijimit të grupit terrorist ISIS, gjendja e sigurisë në shumë vende të këtij rajoni është cenuar dhe kësaj mund t’i shtohet edhe qëndrimi i SHBA ndaj Afganistanit dhe Pakistanit si dhe mosmarrëveshjet midis Pakistanit dhe Indisë që shpesh kanë rezultuar me sulme ushtarake ndaj njëri-tjetrit. Pra, lirisht mund të thuhet se edhe pse të gjitha shtetet e fuqishme në mënyrë proklamuese bëjnë thirrje për zgjidhjen e problemeve përmes diplomacisë, ato një kohë të gjatë janë përgatitur ushtarakisht dhe ky veprim siç duket po u jep guximin atyre që të tregojnë forcën duke mos kursyer jetët e njerëzve./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne