SHBA – Senatori Rubio: Princi Bin Salman i Arabisë Saudite “po sillet plotësisht si gangster”

Komentet e Rubios erdhën gjatë një seance konfirmimi në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit për gjeneralin e pensionuar, John Abizaid, kandidat i Presidentit Donald Trump për postin e ambasadorit të SHBA-së në Arabinë Saudite, seancë kjo që u transformua faktikisht në një platformë debati për marrëdhëniet Uashington-Riad pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Ish-gjenerali Abizaid, i cili kaloi çaste të vështira pasi shumë senatorë ngritën në rend të ditës vrasjen e Khashoggit, mbështetjen e SHBA-së për Riadin në luftën e Jemenit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, pohoi se raportet amerikano-saudite “kanë marrë plagë” për shkak të vrasjes së Khashoggit, por theksoi se megjithatë Arabia Saudite është një aleate shumë më e rëndësishme për SHBA-në.

Marco Rubio, senatori që lëshoi kritikat më të ashpra ndonjëherë nga ndonjë ligjvënës amerikan në drejtim të princit trashëgimtar saudit, Mohammad Bin Salman, tha se Riadi është duke provuar çdo rrugë të mundshme për të shpëtuar paq nga vrasja e Khashoggit.

“Ai është i papërgjegjshëm dhe i pamëshirshëm. Kush mendon që ky është një vlerësim i padrejtë në lidhje me këtë burrë të ri, atëherë le të shohë njëherë se çfarë ka bëri ai në dy vitet e fundit. Ato duken si fragmente nga një film me James Bondin”, u shpreh senatori republikan i Floridës duke iu referuar princit trashëgimtar të kurorës saudite.

Duke e akuzuar Bin Salmanin se “po sillet plotësisht si gangster”, Rubio argumentoi se “ai është duke testuar kufijtë për të kaluar lumin pa lagur këmbët”.

“Arabia Saudite është partneri ynë më i vështirë, sepse gati sa nuk kërkon nga ne që heshtim ndaj shkeljeve madhore të të drejtave të njeriut si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, tha Rubio mes tjerash.

Kurse senatori demokrat i Nju-Xhersit, Bob Menendez, rikujtoi se administrata Trump nuk ka bërë ende asnjë prej dy njoftimeve që duhet t’i bënte Kongresit për vrasjen e Khashoggit, duke potencuar se kjo është një situatë shqetësuese.

“Jam i zhgënjyer nga qëndrimi publik i administratës në lidhje me Arabinë Saudite”, shtoi senatori Menendez, sipas të cilit, zyrtarët amerikanë nuk mund të kërkojnë llogari për abuzimet e të drejtave të njeriut në botë dhe njëkohësisht të mbyllin njërin sy ndaj princit trashëgimtar të fronit saudit.

Më 2 tetor 2018, Jamal Khashoggi u vra egërsisht brenda Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, pak pasi hyri në objektin diplomatik për disa procedura martesore./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne