“SHBA ta rishikojë aleancën me Arabinë Saudite”

Senatori amerikan Chris Murphy, njëherësh anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, ka thënë se administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet ta rishqyrtojë aleancën e saj me sauditët për shkak të vrasjes së mundshme të gazetarit të “Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili u zhduk pas hyrjes në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Në një kolumnë në gazetën “Washington Post”, Murphy ka shkruar se në vitet 80-të dhe 90-të, lideri i rrëzuar libian Moammar Gaddafi kishte bërë shprehi t’i ndiqte kritikuesit e tij, ndërsa kësaj radhe, sipas tij, fajtori është Arabia Saudite, aleati i gjatë i SHBA-së dhe themeli i politikave të saj në Lindjen e Mesme.

“Vrasja e mundshme e gazetarit saudit Jamal Khashoggi duhet të shkaktojë një rishikim themelor të natyrës së aleancës së SHBA-së me sauditët”, ka thënë senatori Murphy.

Sipas tij, informacionet dhe lajmet kanë treguar se Arabia Saudite ka dërguar një skuadër për të vrarë Khashoggin pa mëshirë në Konsullatën Saudite në Stamboll, thjesht sepse ai rregullisht ka kritikuar qeverinë e tij në publik.

“Sauditët i kanë mohuar këto informacione dhe kanë refuzuar të japin ndonjë dëshmi për të kundërtën, duke u shprehur se nuk na detyrojnë shpjegim”, shton më tej Murphy.

Ai tregon se më parë ka shprehur mbështetje të madhe për Arabinë Saudite, por tani vë në pikëpyetje nëse veprimet e këtij vendi, për shkak të qëndrimeve të princit të kurorës, janë në interes të SHBA-së.

Murphy citon arrestimin e anëtarëve të familjes nga ana e princit Muhammed bin Selman, ndalimin e kryeministrit libanez dhe armiqësinë “e pakuptimtë” me Katarin.

“Kjo administratë duket se nuk do të marrë masa vendimtare, kështu që është i ngelet Kongresit për të përcaktuar pasojat. Një nga këto pasoja duhet të jetë fundi i ndihmës sonë ushtarake, e cila u ka dhënë sauditëve autoritet për të kryer tmerrin e vazhdueshëm në Jemen”, është shprehur Murphy.

Sipas senatorit, Arabia Saudite në luftën kundër rebelëve Huthi në Jemen përdor bomba që janë të prodhuara dhe të ofruara si ndihmë nga SHBA, të cilat qëllojnë civilët.

“Sauditët na kanë thënë se këto vdekje të civilëve nuk janë të qëllimshme. Ligji amerikan na ndalon të marrim pjesë në krime lufte. Qeveria jonë ka zgjedhur vazhdimisht t’u besojë atyre. Megjithatë, viktimat civile në muajt e fundit janë rritur. Jemeni është në prag të urisë. Me mijëra fëmijë tashmë po vdesin nga uria dhe dehidrimi. Një raport i ri hulumtues vë në dukje se ‘ka prova të forta se strategjia e Koalicionit ka synuar të shkatërrojë prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit’. Arabia Saudite po shtyn dhe pengon dërgesat e ndihmave si ushqimi, karburantet dhe ilaçet. Avionët luftarakë sauditë shënjestrojnë infrastrukturën ujore, spitalet dhe klinikat shëndetësore. Megjithatë, ndihma jonë ende vazhdon, duke vënë një gjurmë amerikane në çdo viktimë civile në Jemen”, ka theksuar Murphy.

Si përfundim, thotë Murphy, sauditët fshehin të vërtetën, ndërkohë që vlerëson se misteri i gazetarit Khashoggi është i njëjtë me lojërat që lihen në Jemen.

Ai ka theksuar nevojën që Kongresi të pengojë shitjen e armëve Arabisë Saudite, duke shtuar se tani është koha t’i thuhet ‘ndal’, siç ka shkruar ai, ndihmës ndaj krimeve të luftës.

“Duhet të mësojmë së çfarë ka ndodhur në lidhje me këtë rast. Ia kemi borxh Khashoggit”, ka thënë senatori amerikan Chris Murphy.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne