SHBA – Trump ndez fitilin e luftës tregtare, 60 miliardë dollarë sanksione kundër importeve kineze

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi të enjten qarkoren me sanksione miliarda dollarëshe kundër importeve kineze duke u përpjekur të pengojë atë që ai e konsideron si një konkurrencë të pandershme nga Pekini, si dhe vjedhjen e pronës intelektuale.

Me këtë qarkore, nënshkruar me ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trumpi urdhëroi aplikimin e një serie kufizimesh tregtare ndaj Kinës për të mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale dhe teknologjitë e vendit të tij.

Gjatë një fjalimi të shkurtër pak para aktit të nënshkrimit, lideri amerikan theksoi megjithatë se Kina është një vend mik duke shtuar se ka një respekt të madh për Presidentin Xi Jinping, me të cilin gëzon marrëdhënie të shkëlqyera, dhe ai po i ndihmon shumë në lidhje me Korenë e Veriut.

Pavarësisht kësaj – vijoi Trumpi – ne jemi të detyruar të veprojmë për shkak se deficiti tregtar i SHBA-së në raport me Kinën ka arritur nivele të pakontrollueshme.

Ai vuri në pah se vlera e tarifave doganore shtesë dhe e kufizimeve të investimeve ndaj Kinës mund të arrijë deri në 60 miliardë dollarë.

“Kjo është e para e shumë qarkoreve”, deklaroi gjithashtu presidenti amerikan teksa po firmoste dokumentin, gjë që u komentua se në të ardhmen mund të njoftohen masa tregtare të reja.

Përmes qarkores së publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Trumpi ngarkon Departamentin e Thesarit dhe Përfaqësuesin Tregtar të SHBA-së (USTR) me detyrën e përcaktimit të tarifave doganore shtesë dhe të kufizimeve të investimeve ndaj Kinës.

Sipas dokumentit, planifikohet që të vendoset 25% tarifë doganore shtesë ndaj disa produkteve me origjinë kineze të përcaktuara nga USTR-ja, si dhe që kjo masë të shënjojnë sektorin e mbrojtjes, aviacionit, teknologjisë së informacionit dhe prodhimit. Pritet që lista e tarifave doganore të USTR-së për produktet kineze të bëhet publike brenda 15 ditëve.

Nga ana tjetër, Departamentit amerikan të Thesarit do t’i duhet t’i rekomandojë Shtëpisë së Bardhë brenda 60 ditëve kufizime të përshtatshme të investimeve ndaj Kinës.

Qarkorja gjithashtu përfshin aplikimin e USTR-së tek Organizata Botërore e Tregtisë (WTO) kundër praktikave diskriminuese kineze për licencë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne