SHBA, vazhdojnë për të gjashtën ditë protestat për George Floyd

Protestat vazhduan të dielën për ditën e gjashtë radhazi në mbarë SHBA-në në shenjë pakënaqësie për vdekjen e George Floyd, afro-amerikanit të paarmatosur që vdiq gjatë arrestimit nga një ish-polic.

Mijëra protestues nga Bostoni e deri në San Francisco dolën nëpër rrugët e qytetit ku jetojnë, duke brohoritur slogane dhe mbajtur pankarte me mbishkrime “Nuk mund të marr frymë”, “Jeta e njerëzve me ngjyrë është e rëndësishme”.

Në të paktën 40 qytete përfshirë qytetet e mëdha Washington DC, Atlanta, Chicago, Denver, Los Angeles, Seattle dhe San Francisco autoritetet vendosën orë policore, 15 shtete kanë mobilizuar trupat e Gardës Kombëtare.

Plaçkitja dhe dhuna vazhdoi gjatë protestave

Në qytetet Long Beach dhe San Jose të Kalifornisë shumë dyqane janë plaçkitur, ndërsa në përleshjet në Indianapolis kanë humbur jetën dy persona.

Edhe në rajone të ndryshme të New Yorkut mes policisë dhe protestuesve kanë ndodhur incidente.

Një grup protestuesish që hynë në Manhattan nëpërmjet urës Brooklyn, në sheshin Union u përballë me policinë, në përleshjen e ndodhur u arrestuan dhjetëra protestues, si dhe iu flaka një automjeti të policisë.

Protestuesit në muret e katedralit historik St. Patrick’s në Manhattan si dhe shumë ndërtesa me bojë sprej shkruan “Nuk mund të marrë frymë”.

Shefi i Policisë së rajonit Camden në New Jersey, Joe Wysocki, u vlerësua nga opinioni pasi ai marshoi bashkë me protestuesit duke treguar solidaritet me ato.

Gjithashtu edhe Shefi i rajonit Genesee në Michigan, Christopher Swanson i cili marshoi së bashku me protestuesit ishte ndër videot pozitive të shpërndara në rrjetet sociale.

Përgjërimet e Floyd “Nuk mund të marr frymë” sollën në rend dite dhunën policore

George Floyd, 46 vjeç, u arrestua nga policia të martën në Minneapolis, me dyshimin për mashtrim. Ai u përgjërua duke thënë “Nuk mund të marr frymë” pasi një polic i kishte vendosur për një kohë të gjatë gjurin mbi qafën e tij.

Floyd humbi jetën në spitalin ku u dërgua nga ekipet shëndetësore që mbërritën në vendin e ngjarjes, ndërkohë që shkaktuan një reagim të madh në rrjetet sociale pamjet e regjistruara me celular nga qytetarët që kalonin në rrugë.

Pamjet ndezën sërish debatin e dhunës policore kundrejt njerëzve me ngjyrë në vend dhe si rrjedhojë u mbajtën protesta në shumë qytete të vendit kryesisht në Minneapolis.

Guvernatori Tim Walz shpalli gjendjen e emergjencës në rajon dhe deklaroi se ka ngarkuar me detyrë Gardën Kombëtare që të mbështesin policinë dhe të marrin situatën nën kontroll në rajon./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne