Ish-shefi i Sektorit të Narkotikëve në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi, do të përballet me drejtësinë pas përfundimit të hetimeve nga SPAK.
Ai akuzohet për “Korrupsion pasiv”, pasi dyshohet se ka marrë 10 mijë euro ryshfet për të mos kryer kontrolle në një lokal nate. Ky nuk është rasti i parë ku Preçi përfshihet në afera korruptive, pasi më herët ka qenë nën hetim për favorizim të kultivimit të kanabisit.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.170 të vitit 2024, ka paraqitur më 03.02.2025 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit:
Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Në përfundimin e hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.
Hetimet e këtij procedimi u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore./gazetaimpakt