Shefi i OKB-së viziton xhaminë në New York, kërkon siguri për besimtarët

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka vizituar xhaminë e Qendrës Kulturore Islame në New York, ku ka bërë thirrje për të ofruar siguri globale të besimtarëve dhe për mbrojtjen e vendeve fetare, raporton AA.

Guterres vizitoi xhaminë para namazit të xhumasë, duke ofruar “solidaritet me komunitetin musliman nga New York-u për Zelandën e Re dhe më gjerë”.

“Sot dhe çdo ditë, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër urrejtjes anti-muslimane dhe të gjitha formave të fanatizmit”, tha Guterres.

Guterres e quajti sulmi “të tmerrshëm, por ndoshta jo plotësisht të habitshëm”.

“Në të gjithë botën, ne kemi parë gjithnjë rritje të urrejtjes anti-muslimane, antisemitizmit, gjuhës së urrejtjes dhe fanatizmit. Unë kam paralajmëruar vazhdimisht për këto rreziqe”, tha Guterres.

Guterres kërkoi nga përfaqësuesi i lartë i Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së, Miguel Moratinos, të krijoj një plan veprimi për të gjithë trupin e OKB-së për t’u angazhuar plotësisht në mbështetje të sigurisë së vendeve fetare.

“Këtu sot, në paqe të kësaj hapësire të shenjtë, po bëj thirrje globale për të riafirmuar shenjtërinë e të gjitha vendeve fetare dhe sigurinë e të gjithë besimtarëve që vizitojnë vendet e adhurimit në një frymë të mëshirës dhe tolerancës”, tha Guterres.

Shefi i OKB-së po ashtu paralajmëroi se retorika e urrejtjes po shpërndahet si “zjarr i tërbuar”.

“Shumë lëvizje politike edhe në mënyrë të hapur pranojnë orientimin e tyre neonazist”, u shpreh Guterres.

Siç tha ai, një pjesë e “përhapjes së zjarrit” është për shkak të rolit që media ka luajtur në përjetësimin e faktit se muslimanët janë ekstremistë.

“Ne duhet të veprojmë kundër ekstremizmit në të gjitha format e tij, nëse ajo synon xhamitë, sinagogat, kishat apo çfarëdo tjetër”, tha Guterres.

Guterres po ashtu u dërgoi një mesazh muslimanëve në mbarë botën, duke theksuar se, “Ju nuk jeni të vetëm, bota është me ju, Kombet e Bashkuara janë me ju dhe unë jam me ju”.

Gjatë vizitës, ai shoqërohej nga ambasadori turk në OKB, Feridun Sinirlioğlu, si dhe nga përfaqësues nga Zelanda e Re, Australia, Kuvajti dhe Pakistani.

Të premten e kaluar, një terrorist hapi zjarr në dy xhami në Christchurch të Zelands së Re, duke lënë të vdekur të paktën 50 persona.

Gjatë javës së kaluar, shumë prej emrave të viktimave u bënë të njohur, falë shumë personave të cilët në mediat sociale kanë ndarë tregimet e tyre, të tilla si tregimi i viktimës më të re trevjeçare Mucad Ibrahim, si dhe tregimi i Farid Ahmed, i cili humbi gruan pasi ajo u hodh para tij për ta mbrojtur nga zjarri i terroristit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne