Shifrat/ Pse Rama (ndryshe nga FMN) gënjen për borxhin publik?

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka marrë rolin e arbitrit në një polemikë të hapur mes qeverisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, të mbështetur edhe nga opozita, lidhur me borxhin publik.

Qeveria këmbëngul se për vitin 2018 ai është 67.1 % e GDP ndërsa në vlerësimin e vet KLSH ai është 69.7%.

Diferenca e këtyre shifrave vjen për faktin se kabineti Rama nuk i llogarit në këtë shifër detyrimet e prapambetura, ndërsa Kontrolli i shtetit dhe opozita fusin këtu edhe rreth 600 milionë Euro detyrime të papaguara nga qeveria.

Me këtë metodologji ka rënë dakord edhe FMN e cila në rishikimin e perspektives ekonomike globale, raportoi se borxhi i Shqipërisë në vitin 2018 arriti në 69.9 për qind. Pra 2.8% më i lartë se rezultati i qeverisë shqiptare.

Po pse qeveria Rama nuk e pranon këtë metodologji dhe detyrohet të gënjejë për borxhin publik?

Më shumë sesa ekonomike arsyet janë politike dhe propagandistike. Kur erdhi në pushtet në vitin 2013, Rilindja gjeti një borxh që rritej nga viti në vit me shpejtësi dhe që arriti në 70.4% në fund të këtij viti (sipas FMN).

Gjatë kriticizmit të opozitës dhe gjatë muajve të parë në qeveri, Rama u tall me politikën e paraardhësve duke e krahasuar Berishën me një kryefamiljar që i mban të fshehta pjesëtarëve të shtëpisë, paratë që ka marrë borxh.

Duke ironizuar se biznesmenët nuk paguheshin ndërsa Çiljetës i jepeshin miliona për koncerte, kryeministri deklaronte në parlament në dhjetor 2013: “285 milionë dollarë kontrata të nënshkruara nga kryefamiljari, por që shtëpia nuk i di. 128 milionë dollarë TVSH, detyrim i marrë nga kryefamiljari, por që shtëpia s’i di. 50 milionë dollarë fatura për energji e ujë që shtëpia nuk i ka të regjistruara. 60 milionë dollarë të tjera fonde ndihmë ekonomike, që përsëri shtëpia nuk i kishte të regjistruara në defterin e vet për të llogaritur borxhin. 44 milionë dollarë marrë nga buka e gojës së invalidëve për kumarin elektoral që nuk figuronin.

40 milionë dollarë kontrata lokale të financuara nga buxheti si puna e rrugës në Elbasan që ka mbetur rrugëve, por që është qeveria që ka marrë përsipër ta financojnë dhe nuk figuron. 10 milionë dollarë mos rimbursim i tatimeve që u janë marrë mijëra njerëzve për kumarin elektoral dhe harbimin e të qëndruarit çdo kush në krye të një kryefamiljari të ikur në drejtim të paditur. 20 milionë dollarë fatura të papaguara për qoka telefona, lloj detyrimesh të mbartura”. Pra sipas kryeministrit e gjitha shkonte afro 600 milionë euro po aq sa rezultojnë të jenë edhe sot.

Nëse në 2013 shifra e borxhit sipas FMN ishte 70.1% në vitin 2018 ajo ka zbritur vetëm me 0.2% (tabelat krahasuese poshtë). Madje sipas opozitës pot ë futeshin edhe detyrimet e fshehura prej 2.2 miliardë eurosh të PPP-ve korruptive ai mund të llogaritej edhe 81%.

Një arsye tjetër propagandistike se përse qeveri nuk e tregon shifrën reale është edhe ajo se kryeministri jo m shumë se një vit më parë pati deklaruar se gjatë 2019 borxhi publik do të ulej në 65.3.

“Për të gjithë ata që këndojnë rritjen e borxhit…Në 2019 pritshmëria është 65.3 % dmth është një ulje e konsiderueshme me 2.5 % të Prodhimit të Brendshëm. Nga një borxh jashtë kontrollit që kërcënonte vendin 5 vite më parë sot kemi një situatë që solli jo më kot suksesin në tregjet e kapitaleve” deklaroi Rama në 17 Tetor, 2018 ne Forumit Ekonomik Kombëtar.

Ky objektiv duke sot më i paarritshëm se kurrë, sidomos po ti shtohen atij edhe penalitete të mëdha të krijuara nga humbja e proceseve gjyqësore që vijnë si pasojë e vendimeve personale arbitrare të Edi Ramës, si ai i procesit të humbur me biznesmenin Italian Francesko Bechetti.

Pohimet e FMN-së tregojnë se qeveria e Rilindjes, as nuk e ka ulur borxhin në krahasim me vitin më të keq të qeverisë Berisha, as ka arritur ti lajë detyrimet e prapambetura siç pati premtuar.

Ashtu sikurse premtimet e kohës së opozitës se do të zhdukte krimin në 300 ditë, se do të hapte negociatat për një vit, se do të ngrinte buxhetin për arsimin në 5 % edhe këtu qeveri ka dështuar.

Prandaj ashtu si për shumëçka, Rama detyrohet të gënjejë edhe për borxhin, duke mos pranuar shifrën e një arbitri të pa anshëm si Fondi Monetar Ndërkombëtar./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne