Turqia teston me sukses raketën e udhëzuar “Atmaca” të lëshuar nga deti

Kreu i Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë (SSB), Ismail Demir, bëri me dije se raketa “Atmaca” u lëshua nga luftanija “TCG Kinaliada”, korveta e katërt antinëndetëse e klasës “Ada” të prodhuar në kuadër të programit kombëtar të anijeve luftarake turke (MILGEM).

Zhvilluar dhe prodhuar nga kompania “Roketsan”, raketa “Atmaca” pritet të hyjë në inventarin e ushtrisë turke në gjysmën e dytë të vitit 2020.

“Atmaca” do të zëvendësojë raketën antianije “Harpoon”, e cila ndodhet aktualisht në inventarin e ushtrisë turke dhe është prodhuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas kompanisë prodhuese, “Atmaca” është një raketë antianije tokë-tokë me precizion të lartë dhe me rreze të gjatë veprimi, e cila mund të integrohet në anije patrullimi, fregata dhe korveta.

Raketa antianije është e rezistente ndaj kushteve atmosferike dhe kundërmasave.

“Atmaca” është një raketë e udhëzuar me një rreze veprimi mbi 200 kilometra (124 milje), e cila paraqet kërcënim për objektiva të qëndrueshme dhe të lëvizshme përtej vijës së shikimit.

Ajo gjithashtu mundëson azhurnimin e objektivit, riprogramimin e sulmit, abortin e misionit dhe planifikimin e misionit të ardhshëm përmes lidhjes moderne dhe të zhvilluar të të dhënave.

Falë raketës “Atmaca”, kompania “Roketsan” do të bëhet gjithashtu furnizues i një sistemi kritik që përbën fuqinë goditëse të anijeve. Në botë ka aktualisht shumë pak zgjidhje të së njëjtës klase dhe kategorie me raketën “Atmaca”./Trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne