Bota

Shkarkimi i sekretarit Tillerson dhe politika e jashtme e SHBA

Shkarkimi i Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson pas pak më shumë se një viti në detyrë nuk ishte ndonjë e papritur e madhe, por koha dhe mënyra se si u bë ishte e pazakontë.

Dihej që Presidenti Donald Trump dhe kryediplomati i tij nuk kishin mendime të njëjta për disa çështje të politikës së jashtme dhe presidenti kishte shkarkuar një numër ndihmësish.

Por fakti që zoti Tillerson mësoi se ishte shkarkuar me anë të një komenti në Twitter një ditë pasi ishte kthyer nga një turne zyrtar në Afrikë u prit me mjaft habi.

Komentatorët politikë vërejtën se në fjalimin e tij të lamtumirës sekretari shtetit nuk e falenderoi Presidentin Trump, siç është rutina në raste të tilla.

Ata theksuan gjithashtu se ai u shkarkua vetëm disa orë pasi kishte deklaruar se Rusia ishte përgjegjëse për helmimin e një ish-agjenti rus në Britani, ndërkohë që Presidenti Trump nuk kishte komentuar për këtë temë. Zoti Tillerson pati një mesazh për qeverinë ruse:

“Rusia duhet të vlerësojë me kujdes që veprimet e saj të jenë në interesin e popullit rus dhe të botës më gjerë. Vazhdimi i trajektores së tanishme ka të ngjarë të çojë në një izolim më të madh të tyre, gjë që nuk është në interesin e askujt.”

Personi i zgjedhur nga Presidenti Trump për të zëvendësuar zotin Tillerson është kreu i CIA-s, Mike Pompeo. Ish-diplomati i lartë i SHBA Tom Countryman, i cili ishte shkarkuar kohë më parë nga Tillerson, i tha Zërit të Amerikës se zoti Pompeo ka gjasa të dijë shumë për ndërhyrjen e Rusisë në procesin politik amerikan:

“Shpresoj që ai të jetë në gjendje ta bindë presidentin jo vetëm të pranojë se ky është një problem, por që për herë të parë presidenti të bëjë diçka për të mbrojtur demokracinë amerikane kundër këtyre operacioneve të fshehta”.

Analistët politikë vënë në dukje se zoti Pompeo ka një formim ushtarak dhe zoti Trump duket se bashkëpunon mirë me ushtarakët. Ariel Cohen:

“Do të shihni një politikë të jashtme më të fuqishme, më shumë në stilin Trump, më të prekshme dhe më të integruar, që do të jetë më afër me Pentagonin, me komunitetin e inteligjencës. Do të ketë ende kritikë për shkak se Pompeo është një republikan i flaktë, është ish-kongresmen.”

Ndryshimi në Departamentin e Shtetit vjen përpara takimit të mundshëm të zotit Trump në muajin maj me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un për çnuklearizimin e gadishullit korean. Maji është gjithashtu muaji kur Presidenti Trump thotë se dëshiron të braktisë marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare me Iranin.

“Këto dy gjëra thjesht nuk mund të shkojnë së bashku. Nuk ka asnjë mundësi që braktisja e një marrëveshjeje të vlefshme e që funksionon të shtojë forcën negociuese në bisedimet me Korenë e Veriut. Përkundrazi, ajo mund ta bëjë udhëheqësin e Koresë së Veriut të pyesë veten: si mund të nënshkruaj një marrëveshje me një president i cili është gati të braktisë çdo marrëveshje të mëparshme”, thotë zoti Countryman.

Megjithatë, zoti Countryman e përgëzon presidentin për rrezikun që ka marrë mbi vete, edhe pse nuk pret të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Disa analistë thonë se nuk ia vlen të mbahet një takim i nivelit të lartë kur nuk ka shpresa për arritjen e një objektivi të tillë.