Shkarkimi nga ‘Balkanweb’, Tedi Blushi flet për përplasjen me Irfan Hysenbelliun: Më kërcënoi se do më tërhiqte zvarrë

Dje u raportua në Politiko.al se Tedi Blushi ishte larguar nga drejtimi i portalit ‘Balkanweb’ dhe si zv/kryeredaktor i ‘Gazetës Shqiptare’, ndërkohë sot, gazetari ka folur për shkarkimin e tij.

Blushi sqaron se shkarkimi është bërë pa asnjë motivacion dhe pavarësisht insistimit të tij, është përballur me shpërfilljen e drejtuesve të ‘Focus Group’. Gazetari tregon edhe kërcënimin që ka marrë nga administratori i kompanisë, Irfan Hysenbelliu, se do e largonte zvarrë me policë nga zyra, ndërkohë që ai kërkonte një motivacion të shkruar për shkarkimin.

Nga sot “de facto” nuk jam më në drejtimin e portalit Balkanweb.com. Me pak fjalë më kanë komunikuar se është vendosur të mos jem më kryeredaktor.

E vërteta është se për këtë largim (ende jo de jure) unë nuk kam asnjë komunikim zyrtar nga drejtuesit e medias ku punoj prej gati 11 vitesh, nga të cilat 6 vite me pronarin e ri. Kam pasur vetëm dy komunikime verbale me drejtorin e informacionit, administratorin dhe një takim informal me pronarin e kompanisë ku punoj, të cilët më kanë njoftuar se për arsye të njëanshme, pa më dhënë asnjë motivacion konkret, kanë vendosur pa dijeninë time, që unë të mos jem më në drejtimin e portalit.

Në respekt të Kodit të Punës dhe investimit tim prej më shumë se një dekade në këtë “grup mediatik” kam kërkuar në të gjitha këto takime informale e zyrtare, që të njihesha qoftë edhe verbalisht me motivacionin e shkarkimit nga detyra. Por në mënyrë të përsëritur më është refuzuar e drejta për t’u njohur me arsyet edhe pse qartësisht i kuptoja.

Kam kërkuar një motivacion zyrtar të vendimit për largimin nga puna sepse nuk gjeja asnjë arsye tek vetja për të ikur kokëulur nga një media ku kam investuar dhe jam rritur profesionalisht.

E vërtetë është gjithashtu, që në median ku kam punuar edhe pse nuk ka një linjë editoriale “të komunikuar” unë kisha marrë vendimin të respektoja parimin e moscënimit të interesave të kompanisë ku punoj. Dhe jam i bindur qe kam bërë mire sepse ky është një parim që respektohet kudo.

Duke mos pranuar ta identifikoj veten me censurën dhe të mos i bindem verbërisht cënimit të produktit profesional aq më tepër dinjitetit profesional, kërkova pra, siç e kërkon ligji që akti i shkarkimit (pra i ndërprerjes së kontratës) të më jepet me shkrim.

Në komunikimin e fundit verbal dhe jo ligjor nga ana e administratorit të kompanisë, në prani të drejtorit te informacionit mora dje urdhërin e prerë: “Je i shkarkuar! Pikë! Ik tani urgjent ose do të nxjerr jashtë zyrës së kryeredaktorit me policë!!!!!”.

E vërteta është që unë kam punuar me përkushtim, ndershmëri e dashuri në këtë media sepse e adhuroj këtë profesion dhe e çmoj së tepërmi fjalën e lirë. Siç besoj e ka çmuar e gjithë ajo armatë gazetarësh që në kushte presioni për të dhënë dorëheqje ose të gjendur përballë një vendimi për shkarkim faktik janë larguar (në heshtje ose jo) këtë vitin e fundit nga grupi mediatik.

Ndaj kur jam paralajmeruar se nëse hy në zyrë do tërhiqem zvarrë prej aty me policë, po pres të sqarohet ligjërisht pozicioni im në raport me kompaninë ku kam punuar prej 11 vitesh, për të mbajtur edhe unë qëndrimet e mia të mëtejshme.

Në fund, por jo për nga rëndësia, një falenderim i veçantë i shkon papërjashtim të gjithë gazetarëve të stafit të Balkanweb, të gjithë kolegëve dhe miqve të “Gazeta Shqiptare” dhe “News 24” me të cilët kam bashkëpunuar ngushtësisht dhe kam ndarë ditët më të bukura në jetën profesionale!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne