Shkenca e së qeshurës, ja çfarë thonin shkencëtarët e hershëm muslimanë

Mendimtarët muslimanë të Mesjetës duket se kanë ofruar disa komente mbi çdo gjë që mund t’ju shkojë në mendje, dhe “e qeshura me të madhe” nuk bën përjashtim. Ja se çfarë kanë thënë për këtë disa prej tyre.

Në mesin e shekullit të 9-të, mjeku Ali ibn Rabban at-Tabari e shpjegoi të qeshurën në këtë mënyrë: “E qeshura është [rezultat i] vlimit të gjakut natyror [që ndodh] kur një qenie njerëzore sheh ose dëgjon diçka që e zbavit, dhe kështu e befason dhe e lëviz atë. Nëse ai atëherë nuk përdor aftësinë e tij për të menduar në lidhje me të, ai kapet nga të qeshurit.” Me fjalë të tjera, sipas Ibn Rabbanit, e qeshura është rezultat i paaftësisë së një personi për të menduar racionalisht për diçka ndaj së cilës ekspozohet papritmas. Pas këtij pasazhi, ai shpërndau përkufizimin e Aristotelit për njeriun si kafshë që qesh, e ndjekur nga vëzhgimi i filozofit grek që nga të gjitha kafshët, vetëm njerëzit mund të qeshin.

Dijetari i famshëm musliman Abu Jusuf al-Kindi, i cili gjithashtu jetoi në mesin e shekullit të 9-të, komentoi për të qeshurën në kushte të ngjashme. Ai e cilësoi atë si “një dëlirësi e përhershme e gjakut të zemrës së bashku me zgjerimin e shpirtit deri në një pikë ku gëzimi i saj bëhet i dukshëm”.

Ishaq ibn Imran ishte një mendimtar që erdhi më vonë në shekullin e 9-të, dhe mendimet e tij për të qeshurën ishin të ngjashme, por më të detajuara. Në librin e tij ‘Për Melankolinë’, ai e përshkroi të qeshurën e fëmijëve dhe të njerëzve të dehur si rezultat i “gëzimit të shpirtit për shkak të temperaturës së vetë gjakut të tyre”. Ai gjithashtu e përshkroi të qeshurën e tepruar si një shenjë të çmendurisë. Më pas ai komentoi më shumë për të qeshurën, duke e cilësuar atë si “habinë e shpirtit në [vëzhgimin] e asaj që nuk është në gjendje ta kuptojë qartë”, dhe duke diskutuar teori të ndryshme se nga ku rrjedh ajo prej trupit. Në shekullin e 11-të, Constantinus Africanus përkthente Melankolinë nga arabishtja në latinisht. Koleksioni latin i librave (përfshirë edhe punën e Ibn Imranit) u përkthye në gjuhë të tjera evropiane dhe u përdor deri në shekullin e 17-të.

Një student i famshëm i Ibn Imranit ishte mjeku Ishaq ibn Sulayman. Ai sugjeroi që trishtimi shkaktohet nga një gjë që kufizon rrjedhjen e gjakut në trup dhe lirimin e nxehtësisë nga ai. Prandaj, e qeshura dhe gëzimi shkaktohen nga qarkullimi i shëndetshëm i gjakut dhe një proçes ekzotermik i punës në trup. Është interesante se Ibn Sulaymani e zhvilloi vetë teorinë e tij rreth të qeshurës dhe nuk huazoi nga mësuesi i tij, Ibn Imran. Disa nga veprat e Ibn Sulejmanit u përkthyen në frengjisht në vitin 1579 nga një njeri i quajtur Joubert, i cili sugjeroi se Ibn Sulejmani ishte i pari që ofroi një përkufizim të së qeshurës – dhe pastaj diskutoi se sa gabim ishte ai, dhe pse përkufizimet e tij ishin më të mira.

Këtu janë dy pika të rëndësishme që duhen shënuar. E para është se këta mendimtarë të hershëm muslimanë nuk kanë marrë asgjë për të mirëqenë, madje as diçka që duket aq e parëndësishme sa e qeshura. Ata bënë hulumtimet e tyre dhe u përpoqën të përshkruanin origjinën dhe karakteristikat e së qeshurës. E dyta është se ata të gjithë e kanë kuptuar se e qeshura ka të bëjë me qarkullimin e gjakut në trup. Më shumë se një mijë vjet më vonë, shkenca ka vërtetuar se e qeshura, në të vërtetë, ul presionin e gjakut dhe përmirëson rrjedhjen e gjakut. Mësimi? Mos zgjidhni kuptimin e cekët për asgjë, dhe mos harroni kurrë të qeshni!

Hassan Munir

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne