Shkup, dënohet ashpër sulmi terrorist në Zelandën e Re

Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoninë e Veriut (MATUSITEB) e dënoi ashpër sulmin terrorist ndaj muslimanëve në dy xhamitë në Zelandën e Re, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Lidhjes së shoqatave turke në Maqedoninë e Veriut (MATUSITEB), Husrev Emin dhe hatibi i xhamisë së Murat Pashës në Shkup, Sulejman Baki, duke dënuar ashpër sulmin terrorist në Zelandën e Re, në veçanti theksuan rritjen e islamofobisë.

Emin tha se parasëgjithash, si njeri, musliman dhe si qytetar që jeton në Maqedoninë e Veriut, dënon sulmin e sotëm terrorist në Zelandën e Re.

“Si musliman, po ashtu si një njeri, si qytetar që jeton në Maqedoninë e Veriut e mallkojmë dhe dënojmë, pasi që kjo nuk është një çështje vetëm e muslimanëve, por edhe çështje e njerëzimit”, ka thënë Emin, duke rikujtuar se në Maqedoninë e Veriut, jetojmë se bashku me të krishterët, por probleme të tilla nuk kemi pasur.

Ai shtoi se shpreson që në botë, në perëndim dhe në rajon do të ndërmerren masat e nevojshme lidhur me valën në rritje të islamofobisë.

Hatibi i xhamisë të Murat Pashës në Shkup, Sulejman Baki, në mesazhin e hutbes së xhumasë tha se në Zelandën e Re, nga ana e një psikopati i cili ka humbur ndërgjegjen, është kryer një krim ndaj njerëzve të pafajshëm, që kishin ardhur në paqe për të kryer ritet fetare.

Në kohën e fundit bota po ballafaqohet me problemin e islamofobisë, tha Baki, duke shtuar se bota duhet t’i thotë ndal kësaj islamofobie.

“Ne e dënojmë këtë, e mallkojmë dhe dëshirojmë që kjo më kurrë të mos ndodhë. Perëndimi, bota, shtetet e mëdha, Kombet e Bashkuara tani më duhet t’i thonë ndal kësaj. Nuk duhet të jetë kaq e lirë jeta e një muslimani”, theksoi Baki.

Pas namazit të xhumasë, u fal namazi i xhenazeve në mungesë për muslimanët e vrarë në sulmin terrorist në dy xhamitë e Christchurch të Zelandës së Re.

Kujtojmë se në sulmin terrorist ndaj dy xhamive gjatë namazit të xhumasë në qytetin Christchurch të Zelandës së Re u vranë 49 persona./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne