Shkup, prezantohen pajisjet ushtarake të stërvitjes “Dragon Guardian”

Qytetarët e Shkupit sot u njohën me pajisjet e stërvitjes së përbashkët ushtarake të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) dhe forcave ushtarake të SHBA-ve “Dragon Guardian”, e cila do të mbahet më 10 gusht në poligonin ushtarak Krivollak.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë, në kryeqytetin e Maqedonasë u prezantuan automjetet ushtarake të terrenit, pajisje dhe armë personale, pajisje mjekësore, pajisje mbrojtëse dhe pajisje për zbulimin e eksplozivëve.

“Pajisjet ushtarake të prezantuara janë pjesë e pajisjeve që do t’i përdorin anëtarët e forcave tokësore të SHBA-ve për Evropë dhe batalioni i këmbësorëve të ARM-së në stërvitjet e përbashkëta mes dy ushtrive”, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes

Në prezantimin e pajisjeve ishte i pranishëm edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti dhe ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Jess Baily. Maksuti theksoi se kjo stërvitje është një kurorë e bashkëpunimit mes dy ushtrive.

“Bashkëpunimi bilateral mes Maqedonisë dhe SHBA-ve është i shkëlqyer. Kjo stërvitje, që është pjesë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, tregon se mbështetësi më i madh i Maqedonisë për anëtarësim në NATO është SHBA. Maqedonia de-fakto është e përgatitur edhe sot të bashkohet me Aleancën, megjithatë shpresojmë se edhe pengesat tjera të cilat tashmë janë të njohura për publikun, ngadalë, me një klimë pozitive dhe më një qasje të mirë do të arrijmë t’i tejkalojmë dhe sa më shpejtë të jemi pjesë e NATO-s”, deklaroi Maksuti.

Bashkëpunimi ushtarak me komunat vazhdon edhe ditëve të ardhshme. Gjatë ditës së nesërme, këtë lloj të prezantimit do ta kenë mundësi ta shohin banorët e Shtipit dhe Velesit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne