Shkup, promovohet vepra “Islamizimi i torbeshëve dhe formimi i nëngrupit të torbeshëve”

Në Shkup është promovuar vepra “Islamizimi i torbeshëve dhe formimi i nëngrupit të torbeshëve”, nga Prof. Dr. Gallaba Palikrusheva, në organizim të Institutit për Etnologji dhe Antropologji

Në Shkup është promovuar vepra “Islamizimi i torbeshëve dhe formimi i nëngrupit të torbeshëve”, nga Prof. Dr. Gallaba Palikrusheva, në organizim të Institutit për Etnologji dhe Antropologji në kuadër të Fakultetit Matematiko Natyror, raporton Anadolu Agency (AA).

Promovuesi i librit, akademik Prof. Dr. Dragi Georgiev tha se libri i shkruar nga Gallaba Palikrusheva, 52 vite më parë, akoma di të jetë aktual dhe të ngjallë reagime te një grup i caktuar, te njerëz të caktuar apo te bashkësi të caktuara.

Georgiev rikujtoi se libri në fakt paraqet desertacion doktorature të profesorëshës Gallaba e cila është mbrojtur në Shkup në vitin 1965.

Në fjalimin e tij, ai tha se autorja përdor burimet më relevante dhe publikime shkencore të asaj kohe. Ai tha më tej se pjesa më e madhe e asj literature e cila është përdorur nga Palikrusheva akoma është relevante në lëmin e historisë demografike dhe sociale nga pjesa e sundimit Osman.

Ajo që sipas promovuesit i jep freski librit është fakti që autorja është nga personat e parë në Maqedoni që përdor burime Osmane për temën të cilën e trajton, në kohën kur ka filluar përkthimi teksteve dhe defterëve turq.

Sipas tij, sekreti i kësaj freskie qëndron në faktin se ajo për herë të parë nxjerrë në sipërfaqe të dhënat të cilat i vendos në kontekst të islamizimit. Këto dokumente kërkojnë të lexohen mes rreshtave për të gjetur se çfarë tregojnë regjistrimet.

Ai thotë se fokusi është vënë te grupi i torbeshëve i cili edhe sot njihet me emrin e tillë por edhe si “maqedonas muslimanë”.

Për disa prej tyre, vëren ai, emri torbesh është fyes, ndërsa disa prej tyre, sidomos kohët e fundit, e pranojnë këtë emër dhe insistojnë në një etni të veçantë të atij grupi.

“Nëse do të donim të definojmë këtë grup, mund të themi se ata përfaqësojnë një grup fetar pakicë të përkatësisë islame, kryesisht sunitë, të cilët flasin gjuhën maqedonase, por që dallojnë nga aspekti kulturor dhe fetar nga shumica ortodokse maqedonase, por edhe në aspektin gjuhësor dhe antropologjik dallojnë nga grupet më të mëdha etnike muslimane në Maqedoni, nga turqit, dhe shqiptarët. Ata në të vërtetë janë pjesë e trashëgimisë osmane në sferën demografike, për të cilët sot pretendojnë si maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët dhe turqit”, tha Georgiev.

Ai thotë më tej se identiteti i tyre është i bllokuar në mes atij fetar, islamik dhe gjuhësor të përkatësisë maqedonase i cili nuk lejon këto pretendime të realizohen në tërësi nga nga njëri prej grupeve të lartpërmendura.

“Sot torbeshët janë pjesë e trashëgimisë Osmane në Republikën e Maqedonisë, të cilin shteti nuk po e absorbon dot, për çka lidhur me ta ekzistojnë shumë çështje të pazgjidhura historike dhe kundërrthënie bashkëkohore politike”.

Në mesin e çështjeve të pazgjidhura, thekson akademiku Gjorgjiev, bëjnë pjesë emri i tyre dhe origjina e tyre, për çka bëhet fjalë në librin. Rreth interpretimit të termit Torbesh, Gjorgjiev e sqaroi edhe qëndrimin e autores së librit, dr. Palikrusheva.

“Ajo konsideron se interpretimi popullor i fjalës torbesh, që lidhet me fjalën torbë është e papranueshme. Për origjinën etnike të torbeshëve, ajo thekson tezën se ata e kanë prejardhjen nga grupi etnik Mijaci, që para periudhës Osmane ka qenë e populluar në Maqedoninë Perëndimore nëpër rrjedhën e lumit Radikë. Një pjesë e këtij grupi etnik ka pranuar islamin, pas çka nga pjesëtarët e tyre të fiseve që kanë mbetur krishterë, me fjalë të keqe janë quajtur torbeshë, sepse e kanë shitur fenë e tyre për një torbë me xhizë”, theksoi Gjorgjiev.

Akademik Gjorgjiev: Termi islamizim, nuk do të thotë imponim i dhunshëm i islamit si fe
Lidhur me këtë qëndrim të autores së librit, dr. Palikrusheva, akademiku Dragi Gjorgjiev, në një bisedë për Anadolu Agency (AA) , thekson se qëndrimi i tij është i ngjashëm me qëndrimin e profesoreshës, duke theksuar se konsideron se bëhet fjalë për popullatë sllave.

“Qëndrimi im është i ngjashëm me atë të profesoreshës. Mendoj se bëhet fjalë për popullatë sllave, që ka pranuar islamin në kohën pas ardhjes së osmanëve dhe se u formuan si grup i veçantë që praktikon islamin, ndërsa si gjuhë amtare ka mbajtur maqedonishten. Si qëndrim është i afërt me qëndrimin e profesoreshës, ndonëse në raport me atë se janë vetëm pjesëtarë të grupit Mijac, unë nuk do të dakordohesha, sepse ka pjesëtarë edhe të disa grupeve tjera të tilla”, thekson akademiku Gjorgjiev.

Ai shton se rreth qëndrimit të tij se torbeshët bëjnë pjesë në popullatën sllave, është qëndrim me të cilin nuk pajtohen disa nga etnologët turq. Në kontekst të qëndrimit të profesoreshës Palikrusheva se torbeshët “me fjalë të keqe janë quajtur torbeshë, sepse kanë shitur fenë e tyre për një torbë me xhizë”, ai thekson se: “Nuk ka materiale dëshmuese serioze ose dokument që kjo të vërtetohet. Ky është një besim popullor se emrin e kanë marrë në këtë mënyrë. Ky besim ekziston dhe ka ekzistuar dhe ka qenë e përhapur në mesin e atyre njerëzve atje, por nuk mund me siguri të pohohet se është ashtu”, thekson Gjorgjiev. Për terminin islamizim, akademik Gjorgjiev thekson se nuk bëhet fjalë për imponim të dhunshëm të islamit si fe.

“Absolutisht nuk bëhet fjalë për imponim të dhunshëm të islamit si fe. E di se tek kolegët e mi turq shkakoi ndjesi të tillë, se bëhet fjalë për imponim të dhunshëm, kjo në gjuhën maqedonase ka një nuancë të butë, konotacion të tillë. Megjithatë, nuk ekziston folje tjetër përveç se ta përshkruajmë atë si përhapje të islamit, islamizim është më shkurt, folja më konkrete që përshkruan përhapjen e islamit. Absolutisht nuk bart kurrfarë konotacione të imponimit të dhunshëm të islamit si fe”, sqaron akademiku Gjorgjiev për AA./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne