Shkup – Vizita të rëndësishme nga Ankaraja dhe Athina

Gjatë kësaj jave në Maqedoninë e Veriut ka qëndruar për vizitë kryeministri grek Aleksis Cipras. Kjo është vizita e parë pas afër tre dekadave që një zyrtar i lartë i Greqisë ka realizuar në Shkup.

Kryeministri grek Cipras cilëson historike vizitën e tij në Shkup

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=1jMUy34Bf-Y]

 

“Vizita jonë këtu paraqet hap historik për Ballkanin dhe për Evropën. Jemi këtu për të gjetur zgjidhje që të shikojmë kah e ardhmja,  të ndërtojmë ura në vend të mureve.  Greqia do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në hapat e saj drejtë anëtarësimi në  BE. Që të kemi themele të forta dhe ato t’i përballojnë kohës, duhet të punojmë intensivisht që në saktësi ta implementojmë Marrëveshjen e Prespës”, ka theksuar Aleksis Cipras.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën e përbashkët tha se Marrëveshja e Prespës është një proces i pakthyeshëm, nga e cila mund të priten përfitime për të dy vendet dhe për qytetarët e të dy vendeve.

“Kjo vizitë historike është sinjal i vullnetit të përbashkët politik për bashkëpunim si dhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si kontribut për një Ballkan të ri”,- ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.

“Kur të ktheheni pas, do të shihni kohë të humbura, kur të shikoni para do të shihni dy vende mike, të cilat me vendime të guximshme ecin para drejt ardhmërisë. Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve”,- theksoi më tej Zaev.

Çështje më e rëndësishme për bashkëpunimin në mes dy vendeve fqinje mbetet ekonomia, ka deklaruar kryeministri grek.

Nuk kemi kohë për të humbur, përkundrazi duhet përshpejtuar dhe duhen tejkaluar të gjitha hendeqet, ka thënë më tej ai.

Kryeministri grek Aleksis Cipras gjatë qëndrimit në Shkup ishte i shoqëruar nga një delegacioni, që përbëhej nga më shumë se 100 afaristë. Dhe, siç do të shprehet Cipras,“qëllimi i vetëm është që të ndërtojmë raporte më të mira ekonomike në të ardhmen”. Sipas tij, “pa nevojë janë humbur 30 vjet që të vendosen marrëdhënie normale, bilaterale mes dy vendeve fqinje”.

Vizita e kryeministrit grek Aleksis Cipras ka pasuar Marrëveshjen e miratuar kohë më parë nga Shkupi dhe Athina, me të cilën shteti që doli nga ish-Jugosllavia me emrin Maqedoni, pranoi që, pas kontestit shumëvjeçar nga Greqia, emri i saj të jetë Maqedonia e Veriut.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gjatë qëndrimit në Shkup ai u prit nga homologia maqedonase Radmilla Shekerinska.

Po këtë javë në Maqedoni ka qëndruar edhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar. Në konferencën për media pas takimit të realizuar me homologen maqedonase Radmila Shekerinska, Akar ka theksuar lidhjet e forta historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut duke shtuar se bashkëpunimi në fusha të ndryshme mes dy shteteve gjithnjë e më tepër po thellohet. Kontribues për forcimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy shteteve, ka thënë ai, janë edhe populli turk që jeton në Maqedoni dhe populli nga Maqedonia që jeton në Turqi.

Turqia me përvojën që ka, ka mbështetur Maqedoninë e Veriut gjithmonë  në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe kulturës.

Ne, si Turqi me sinqeritetin tonë të plotë mund të themi se dëshirojmë paqe dhe stabilitet në të gjithë Ballkanin, me në krye Maqedoninë e Veriut. Dua të theksoj se do të jemi këtu gjithmonë që të mbështesim vendin tuaj”, deklaroi ministri Turk i Mbrojtjes Hulusi Akar gjate qëndrimit në Shkup.

Turqia e mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut  në anëtarësimin e saj në NATO. 

Ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska shprehu falënderim për mbështetjen që i jep Turqia Maqedonisë në fushën e mbrojtjes. Ajo gjithashtu iu referua bashkëpunimit të suksesshëm në misionet e huaja paqeruajtëse siç është misioni në Afganistan.

Dy ministrat u zotuan të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Akar tha se ekzistojnë struktura të caktuara të, siç u shpreh ai, organizatës terroriste FETO që veprojnë në Maqedoninë e Veriut. Ministri Turk i Mbrojtjes theksoi se duhet të bëhen hapa konkretë në mënyrë që të dyja shtetet, siç tha ai, të shpëtojnë nga kjo organizatë terroriste. Shekerinska shpreson që kjo çështje nuk do të pengojë ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Turqisë.

Ndërkohë në Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut  nga Ankaraja Zyrtare kanë marrë  kërkesën për ekstradimin e terroristëve të FETO-s.

“Bëhet fjalë për kërkesë të ekstradimit të 15 personave nga Ministria e Drejtësisë së Turqisë. Ne, si Ministri e kemi hapur këtë procedurë, duke e dërguar kërkesën në Gjykatën Themelore Shkup 1, për të vërtetuar plotfuqishmërinë e akuzës, për të cilën të dyshuarit nga e autoriteteve turke ngarkohen me Veprën penale Terrorizëm”  – shprehen nga Ministria e Drejtësisë.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka thënë se 13 nga 15 të dyshuarit, të cilët i kërkon Ankaraja, janë rezidentë në Maqedoninë e Veriut.

“Proceset që kanë të bëjnë për ekstradimin e pjesëtarëve të organizatës ‘FETO’, të cilët gjenden në territorin e Maqedonisë së Veriut, i udhëheq Ministria e Drejtësisë, – ka theksuar Spasovski.

Agjencia shtetërore informative e Turqisë “Anadolu Agency-AA”, menjëherë pas hapjes së kësaj çështjeje kishte publikuar listën e strukturës së udhëheqësve të bizneseve në Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohen se janë pjesëtarë të FETO-s. Në listë figurojnë pronarë të shkollave, por edhe firma për transport, tregti, shëndetësi dhe turizëm./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne