“Shkurtabiqi me raketa” kundër “plakut të çmendur” dhe pjesës tjetër të botës

Eric Ballbach

Më shumë se 20 teste me raketa, një test me bombë atomike, fyerje mes Uashingtonit dhe Phenianit. Ky është bilanci i konfliktit më të rrezikshëm të vitit 2017 në botë. Në rolet kryesorë Donald Trump e Kim Jong Un.

Dialog në vend të provokimeve – kjo ishte shpresa, që u lidh me ardhjen në post të presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Shpresa, që në Shtëpinë e Bardhë të krijoheshin shanse për një erë të re në konfliktin e ngrirë me Korenë e Veriut. Trump kishte thënë madje në fushatën presidenciale, se e përfytyronte edhe një takim me Kim. Por gjërat rrodhën ndryshe. Më 3 janar Trump shkruan në twitter: “Koreja e Veriut ka bërë të ditur, se po kalon në fazën përfundimtare të zhvillimit të një rakete bërthamore, që mund të arrijë edhe SHBA. Kjo nuk do të ndodhë!”

Vit i mirë për Korenë e Veriut

Që Pheniani nuk impresionohet nga paralajmërime të tilla u bë shpejt e qartë: Në shkurt Koreja e Veriut teston një raketë. Është fillesa e një serie testesh raketorë që do të pasojnë në vitin 2017 – gjithsej 20. Mes tyre tre raketa ndërkontinentale dhe i gjashti test atomik. Në fund të nëntorit mediat e vendit bëjnë të ditur, se vendi e ka përmbyllur me sukses programin e tij atomik. “Udhëheqja koreane do të hedhë me kënaqësi vështrimin pas këtë vit. Sepse me këtë ky vend ka arritur qëllimin e tij strategjik, për atë që kanë punuar pushtetmbajtësit në Phenian prej disa dekadash”, thotë Eric Ballbach nga Instituti për Studimet Koreane në Universitetin e Berlinit.
Nordkorea Kim Jong Un in Pjöngjang (Reuters/KCNA)

Luftë verbale

Jo zyrtarisht gjatë vitit 2017 u zhvillua një luftë e ashpër retorike. Koreja e Veriut njihet për sulmet e forta verbale kundrejt SHBA dhe Koresë së Jugut. E reja është se presidenti amerikan u fut në këtë valë fyerjesh.

Më 4 korrik ai shkruan në twitter se “Koreja e Veriut ka testuar një raketë. Nuk ka ky tip ndonjë gjë tjetër më të mirë në jetë që ta bëjë?” Ndërkohë presidenti koreanoverior, Kim kundërpërgjigjet: “Bastardët amerikanë, sigurisht “nuk janë të lumtur për këtë dhuratë”.

Por pasi Koreja e Veriut teston një raketë të dytë ndërkontinentale, në korrik presidenti amerikan kundërpërgjigjet ashpër: Po qe se ky vend do të vazhdojë me provokimet, atëherë ne do të reagojmë me “zjarr dhe zemërim, si bota nuk e ka parë ndonjëherë”. Kim citohet më vonë nga mediat e vendit se “një dialog me një tip pa asnjë arsye nuk është i mundur.”

Lufta e fjalëve vazhdon edhe në vjeshtë. Në fjalimin e parë para Kombeve të Bashkuara, Donald Trump përdor një gjuhë të ashpër. “Shkurtabiqi me raketa” po fillon një mision vetëvrasës. Kim përgjigjet dy ditë më vonë. “Unë sigurisht do bëj zap me zjarr plakun e çmendur amerikan.”

Për Korenë e Veriut kjo luftë retorike është sulm dhe bekim njëkohësisht, thotë Eric Ballbach. “Nga njëra anë sulmet personale ndaj një lideri në çdo vend autoritar nuk pranohen, nga ana tjetër pikërisht kjo retorikë u ofron koreanoveriorëve atë që duan. Edhe një vend si Koreja e Veriut duhet të justifikojë para popullit programin nuklear kaq të shtrenjtë.”

Fakti që nuk ka bisedime zyrtare fsheh shumë rreziqe. Kjo rrit mundësinë që të ketë keqkuptime, thotë Ballbach. “Në vitin 2017 kemi trajnimet ushtarake amerikano-koreanojugore më të mëdhatë që janë kryer ndonjëherë, dhe nga ana tjetër numrin më madh të testeve me raketa nga Koreja e Veriut.” Megjithatë ndoshta shanset nuk janë të këqija për një dialog në të ardhmen, mendon Ballbach. “Duket ironike, por pikërisht tani, kur koreanoveriorët theksojnë me forcë, që programi i tyre nuklear është kaq i suksesshëm, mund të shërbejë si legjitimitet për të hequr dorë në të ardhmen nga teste të tjera”. Koreja e Jugut shpreson që viti i ri të fillojë i qetë. Në shkurt aty zhvillohen Lojëra Olimpike Dimërore, dhe një test me raketa do të ishin një provokim ultimativ./ dw

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne