Auron Tare
Rrugës për te “M. Shyri” ngrita dorën për një taksi. Një makinë e re elektrike më pa, por nuk deshi të ndalonte. Ndoshta po nxitonte drejt dikujt më të rëndësishëm sesa transporti i një qytetari të zakonshëm.
Pas saj ndaloi një taksi e vjetër e verdhë, ngjyra e së cilës kishte kohë që ishte në një marrëdhënie të paqartë me diellin, shiun dhe pluhurin e kryeqytetit. U futa brenda. Teksa po vendosja rripin e sigurimit, shoferi, një burrë rreth të shtatëdhjetave, më pyeti:
Zoti Tare, ku po shkoni?
I dhashë adresën.
Pas një heshtjeje të shkurtër, burri tha:
Kam respekt për ju. Ju kam dëgjuar shpesh në televizion. Më pëlqen kur përmendni që keni qenë te Skënderbegasi.
Sigurisht, – iu përgjigja. – Është një shkollë që na formoi.
Unë kam qenë tankist, – tha ai me një farë krenarie të qetë. – Me origjinë nga Saranda, kam shërbyer në repartin e tankeve të Gardës si oficer.
Qëndruam për disa çaste secili në mendimet e veta. Makina lëvizte ngadalë në trafikun e rënduar të Tiranës.
Si i shihni protestat? – më pyeti papritur.
Shumë mirë, – i thashë. – Të rinjtë kërkojnë drejtësi. Ata duan të jetojnë në vendin e tyre me dinjitet dhe jo të enden rrugëve të botës.
Ai vetëm tundi kokën.
Mua më duket se i bëjnë fqinjët.
Cilët fqinj?
Grekët. Ata gjithmonë na trazojnë.
E pashë me një buzëqeshje.
Vërtet?
Pa tjetër. Agjentët grekë janë ata që i organizojnë. Ata janë gjithmonë pas gjithçkaje.
Dyshimet e vjetra ushtarake, siç dukej, nuk e kishin lënë ende.
Për ta nxjerrë bisedën nga ajo rrugë, e pyeta çfarë kishte bërë pasi kishte lënë ushtrinë.
Emigrova në Greqi, – tha. – Isha pa letra. U kapëm në kohën e Micotaqit. Unë dhe të tjerë u keqtrajtuam rëndë. Pastaj na hodhën në kufi si bagëti.
Heshtje për një çast.
U ktheva. Mora këtë makinë dhe ja ku jam. Punoj si taksist.
Për disa minuta dëgjohej vetëm zhurma e motorit dhe kakofonia e trafikut.
Pastaj më pyeti:
Çfarë do të thoni për protestat sonte?
Do të flas për arsyet pse të rinjtë kanë dalë.
Më pa në pasqyrë.
Mos harroni se këto i bëjnë grekët.
Mirë, – i thashë. – Po kush e shkatërroi ushtrinë tonë?
Berisha.
Po depot e armëve?
Fytyra iu ngrys.
Ah, mos ma kujto. Kam qarë kur i nxorën nga reparti. U kujdesa për to gjithë jetën. Kur erdhi skrapisti, më dukej sikur kasapi po hynte në stallë.
Grekët?
Jo, ç’thua! – tanët, kur ishte ministër…
Po Sarandën kush e shkatërroi?
Politika jonë e prapë.
Po bujqësia, spitalet? Arsimi juaj? Fshatrat?
Ai nxori një psherëtimë të thellë.
Lëri, lëri… I bëmë vetë. Edhe ata që qeverisin, edhe ne që i votojmë.
Makina ndaloi para televizionit.
Këto janë pikërisht ato për të cilat do të flas sonte, – i thashë. – Të rinjtë që janë në bulevard kërkojnë zgjidhje, jo armiq imagjinarë.
Ai buzëqeshi lehtë.
Do t’ju ndjek.
Më uroi natën e mirë. Pastaj taksia e verdhë u tret ngadalë në lumin e dritave dhe borive, ndërsa unë mbeta duke menduar se shqiptari, megjithëse shpesh e di ku qëndron faji, vazhdon ta kërkojë armikun diku larg, në kufi./fb

















