Shoqata e Transportit kundër Veliajt: Abonetë do i njohim me dhe pa pullë

Pas njoftimit të Bashkisë Tiranë se abonentë me pullë nuk do të njihen, ka reaguar edhe Shoqata e Transportit Urban. Drejtori i Shoqatës, Ferdinand Ibrahimi, thotë se për 13 operatorët e Shoqatës abonentë do të njihen njësoj.

“Informojmë prapë të gjithë qytetarët e Tiranës, kushdo që blen abone të përgjithshme apo studenti, në të dy rastet aboneja është në rregull. Pra nuk ka asnjë keqkuptim. Të gjitha abonetë, si me pullë, si pa pullë do të shiten. Këto që janë pa pullë është detyra jonë ti shohim me kujdes që të mos falsifikohen abonetë sepse ka pak elementë sigurie”, tha Ibrahimi për Ora News.

Ibrahimi sqaron se sipas një vendimi të Këshillit bashkiak janë vetë operatorët ata që vendosin pullën si element shtesë sigurie për të evituar qarkullimin e aboneve false:

“Gjithmonë kartonët bashkë me abonetë kanë qenë ose me shirit kartoni ose me pullë. Këtë muaj ne si Shoqatë vendosëm pullën dhe e kemi nxjerrë për muajin qershor me pullë. Sipas vendimit që kemi ne me Bashkinë në 2013, pika e katërt thotë se kartoni ka elementë të sigurisë së kartonit do të jenë të ndryshueshme çdo muaj. Mund të jetë pullë rrethore, mund të jetë shirit, katror etj. Te pulla kemi shënuar qershor”.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne