Shoqatat e gazetarëve thirrje kryeministrit: Të ndalohet dhuna ndaj punonjësve të medias!

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë i bëjnë thirrje kryeministrit Rama të ndëshkojë dhunën ndaj personelit të medias dhe gazetarëve gjatë ditëve të protestave.

Sipas tyre është e papranueshme që punonjës të medias të sulmohen edhe pse identifikohen si dhe të ndalohen teksa kryejnë detyrën.

“Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, dënojnë me forcë aktet e përsëritura të dhunimit të gazetarëve në krye të detyrës nga policia gjatë protestave të këtyre ditëve.

Eshtë e papranueshme që gazetarë e punonjës të medias të ndalohen edhe pse u identifikohen policise, dhunohen e shoqërohen sepse po bëjnë detyrën, pra pasqyrimin e ecurisë së protestave janë sjellje arbitrare të policisë.

Pas gazetarit të “Rtv Ora” Xhoi Malësia, shoqërimi i kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani, dhunimi i gazetarit të “Syri TV” në Durrës Aldo Mustafa dhe po në Durrës i punonjësit të medias “Durrës Lajm” Shefqet Duka janë raste që po denoncohen cdo ditë si sjellje e pandryshuar e policisë.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu, që të shprehen publikisht kundër dhunës e pengimit të gazetarëve e medias në përgjithësi për të bërë detyrën, pasqyrimin e asaj cfarë ndodh në protesta; të nxisin nxjerrjen e ndëshkimin e përgjegjësve të dhunës ndaj punonjësve të medias.

Në këtë rast, heshtja juaj është inkurajim i sjelljes së padenjë të policisë në shkelje të hapur të lirisë për të kryer detyrën në një shtet demokratik”, shkruhet në thirrjen e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne