Shqipëri – Agjencia turke TIKA vazhdon mbështetjen për nxënësit me aftësi të kufizuara

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) përfundoi rikonstruksionin dhe mobilimin e ambienteve për nxënësit konviktorë në Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë në Tiranë, duke iu ardhur në ndihmë dhjetëra nxënësve që qëndrojnë në konvikt.

Përmes një aktiviteti ku merrte pjesë zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, ambasadori i Turqisë në Tiranë Murat Ahmet Yörük, koordinatori i TIKA-s në Tiranë Necip Özay Özütok, dhe drejtues të institutit, janë inauguruar ambientet e rikonstruktuara nga TIKA.

Në aktivitetin e organizuar për këtë inaugurim, ambasadori Yörük, tha se qëllimi i ndihmës i ofruar nga Republika e Turqisë nëpërmjet TIKA-s, është për të krijuar një të ardhme sa më të mirë për fëmijët.

“Është shumë e nevojshme që ne të japim ndihmesën e duhur për fëmijët që kanë nevoja të veçanta. Edhe pse midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk ka një kufi tokësor, ne të gjithë vëllezërit shqiptarë i shikojmë si vëllezërit tanë të zemrës. Fëmijët shqiptarë janë njësoj si edhe fëmijët tanë, janë fëmijët e zemrave tona. Ne jemi shumë të lumtur që jemi sot me ju. Qëllimi jonë, në momentin që shikojmë mangësi për miqtë dhe vëllezërit tanë është të zgjasim dorën e ndihmës. Shpresoj që brenda në këtë shkollë, në Shqipëri, që është një vend mik dhe vëlla, të dalin njerëz sa më të lartë që ta çojnë këtë vend në pika sa më të mira”, theksoi ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, u shpreh se qëllimi i arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara është që këta nxënës të arrijnë rezultatin maksimal.

“Shndërrimi i kësaj shkolle në qendër burimore është një nga qëllimet tona. Ky investim nga TIKA, shteti turk, do të na ndihmojë që ta shndërrojmë këtë shkollë në qendër burimore që do të thotë se jo vetëm ju do të merrni një shërbim më cilësor, por edhe nxënësit e tjerë më aftësi të kufizuara do të përfitojnë nga eksperienca juaj këtu, nga mësuesit që punojnë me ju këtu, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve tjera që organizohen nga shkolla”, tha Shahin.

TIKA ka realizuar rikonstruksionin dhe mobilimin me pajise të ndryshme, si shtretër, rafte, karrige dhe tavolina për 8 dhoma për nxënësit konviktorë në Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë në Tiranë.

Në këtë institut arsimohen 70 nxënës të ardhur nga qytete të ndryshëm të Shqipërisë dhe janë nga mosha 6-18 vjeç.

TIKA ka kontribuar edhe në projekte të tjera për fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri, ku disa ditë më parë në Tiranë u inaugurua ngritja e “Dhomës së Perceptimeve”, në Shkollën Speciale “Luigj Gurakuqi” në Tiranë, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuar që ndjekin procesin mësimor në këtë shkollë. (Anadolu Agency – AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne