Shqipëri – Ambasadori i Turqisë u kthen përgjigje kritikëve për investimet strategjike turke

Një delegacion zyrtar turk zhvilloi një vizitë të shkurtër në xhaminë historike dhe monumentale të Plumbit, ku së shpejti do të nis rikonstrukturimi i plotë, me një fond prej 4 milion euro, financuar nga qeveria turke.

Zv.kryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi ishte së bashku me ambasadorin turk, Ahmet Murat Yörük, Drejtorin e Përgjithshëm i Drejtorisë së Fondacioneve të Kryeministrisë së Republikës së Turqisë, Adnan Ertem dhe drejtuesit e projektit, ku panë nga afër këtë objekt kulti të trashëgimisë kulturore, të kategorisë së parë.

Projekti i xhamisë së Plumbit pritet t’i japë fund historisë së përvitshme të përmbytjes së këtij objekti, i cili mbart vlera të përbashkëta shpirtërore, kulturore dhe historike mes dy vendeve Shqipërisë dhe Turqisë.

Parashikohet se pas 1 muaji do të nisin punimet për kthimin në identitet të saj.

Zv.kryeministrja Mesi tha se do  jetë një investim rreth 4 milion euro, i cili do të zgjasë 1 vit ose 1 vit e gjysmë në varësi të problematikave.

Vlen të përmendet se xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773. Ajo i rezistoi periudhave të errëta komuniste që kaloi Shqipëria dhe mbi supe mban edhe historinë e Shqipërisë demokratike, pasi më 16 Nëntor 1990 u krye falja e parë dhe rikthimi i lirisë së besimit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, ambasadori turk në Tiranë u ka kthyer përgjigje kundërshtarëve dhe kritikëve për prezencën e shtuar të Turqisë në Shqipëri, përmes investimeve në sektorët strategjikë, debat i hapur pas interesit të kompanive për të ndërtuar aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.

Ambasadori, tha se investimet dhe mbështetja turke janë tregues të vëllazërisë mes dy shteteve dhe jo tentativa të shtrembërimit të historisë.

“…Janë interpretime sipërfaqësore dhe jo me këmbë në tokë. Qëllimi jonë është që nga historia e kaluar me Shqipërinë të marrim më të mirën dhe në bashkëpunim me shtetin shqiptar të ndërtojmë projekte që i shërbejnë zhvillimit dhe të ardhmes. Nuk kemi asnjë qëllim tjetër…”.

Një zhvillim tjetër prononcimi nga ana ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Ahmet Murat Yörük është çështja në lidhje me restaurimin e 5 xhamive monumentale, ku gjatë ceremonisë së hapjes së konferencës shkencore ndërkombëtare, me temë “Institucioni i Vakëfit në hapësirën ballkanike” të organizuar në Tiranë nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Universitetin Selçuk të Konya me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndër të tjera ka deklaruar:

Fatkeqësisht ditët e fundit disa grupe të caktuara, që janë zgjatime të organizatës terroriste FETO në Shqipëri po përpiqen që disa veprimtari dhe punë që kemi bërë ne ti devijojnë për qëllimet e tyre, sikur i kanë realizuar ata vetë. Ne i ndjekim duke qeshur këto përpjekje të tyre për të dezinformuar opinionin publik dhe për ta orientuar në rrugë të gabuar. Republika e Turqisë nëpërmjet TIKA-s dhe Drejtorisë së Përgjithshëm të Vakëfeve ka realizuar shumë projekte në bashkëpunim me institucionet shqiptare. Vetëm gjatë këtij viti nga TIKA pritet restaurimi i 5 xhamive dhe teqeve që janë vepra të përbashkëta historike të dy vendeve tona me një vlerë 5 milionë euro. Ndërsa, xhamia e Plumbit në Shkodër, e cila u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, restaurimi ka një vlerë prej 4 milionë eurove. Prandaj i bëj thirrje grupeve të caktuara të lidhura me FETÖ-n, të cilët këto përpjekjet tona janë duke u munduar t’i devijojnë dhe t’i tregojnë sikur i kanë realizuar ata vetë, gjeni 10 milionë euro dhe bëjeni vet.” është shprehur  më tej ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yörük.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne