Shqipëri – Buxheti 2018 parashikon rritje të prodhimit kombëtar me 4,2 për qind

Buxheti i vitit 2018 sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, përcjell dy mesazhe kryesore: Rritje ekonomike rë lartë që krijon mirëqenie, si dhe ulje të rëndësishme të borxhit.

Qeveria ndërkohë parashikon që këtë vit prodhimi kombëtar të zgjerohet me 4,2%. Të ardhurat në buxhetin e vitit 2018 llogariten të shkojnë në 464,2 miliardë lekë ose 6,3% më shumë se në vitin që lamë pas. Shtimi i të ardhurave nuk bazohet në rritje taksash.

Shpenzimet gjatë vitit që sapo ka trokitur parashikohen 496,6 miliard lekë. Brenda tyre rritjen më të lartë e kanë investimet publike që shkojnë mbi 5% e PBB-së ose 86,1 miliardë lekë.

Brenda investimeve publike, vetëm mbështetja për infrastrukturën do të rritet me 42%, krahasuar me 2017-n.

Ndërsa borxhi publik për këtë parashikohet të ulet me 2,5% nga niveli aktual duke zbritur në 68,6% e PBB-së. Deficiti buxhetor për vitin 2018 planifikohet të jetë në nivelin 2% të PBB-së.

Për të tretin vit radhazi balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0,6% duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse për të tretin vit radhazi.

Por si ndahen paratë publike sipas sektorëve?

Pjesën më të madhe e merr mbrojtja sociale. Qeveria do të shpenzojë 148,6 miliardë lekë për pensionet, ndihmën ekonomike dhe transfertat e tjera sociale për shtresat vulnerabël.

Shëndetësia është portofoli i dytë më i madh i shpenzimeve publike. Në vitin 2018 buxheti i shtetit do të shpenzojë rreth 48,6 miliardë lekë për sistemin shëndetësor, ku përfshihen shpenzimet për spitalet publike, rimbursimi i barnave dhe pagesat e koncesioneve.

Çështjet ekonomike do të marrin mbi 45,7 miliardë lekë, ndërsa arsimi, një tjetër sektor prioritar, merr 41 miliardë lekë.

Buxhet të rëndësishëm marrin gjithashtu rendi dhe siguria publike, rreth 28,8 miliardë lekë, ndërsa për mbrojtjen qeveria do të shpenzojë rreth 11,6 miliardë lekë.

Pjesa e mbetur e buxhetit shkon për strehimin dhe komoditetet e komunitetit ose janë shpenzime të paklasifikuara. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne