Shqiperia

Shqipëri – Çelet Panairi 26. Ndërkombëtar i Tiranës, të pranishme edhe 15 kompani turke

Panairi 26. Ndërkombëtar i Tiranës u çel të shtunën në kryeqytetin e Shqipërisë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij panairi në Tiranë ishin ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Shqipërisë, Eduard Shalsi, ambasadorë të vendeve pjesëmarrëse në panair, zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit (ITO) dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit në Shqipëri dhe vendet e rajonit.

Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës marrin pjesë edhe kompani turke të mbështetura nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm si ndërtimi, industria ushqimore dhe punimet artizanale.

Panairin e vizitoi gjithashtu ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri.

Ambasadori Yoruk u ndal në stendat e 15 kompanive turke dhe zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësuesit e tyre.

Gjatë vizitës në stendat e bizneseve nga Turqia, ambasadori Yörük u dorëzoi atyre certifikata falënderimi për pjesëmarrjen në panair.

Në panair ekspozohen materiale dhe prodhime nga sektorët si ndërtimi, energjetika, turizmi, telekomunikacioni, infrastruktura rrugore, industria e lehtë, industria ushqimore, arti dhe edukimi, artizanati dhe teknologjia e avancuar.

Organizuar nga kompania “Klik Ekspo Group”, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme deri më datë 26 nëntor./Trt