Shqipëri – Kuvendi inkurajon angazhimet për trajtimin e problematikave të fëmijëve

Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë u realizua sot takimi i grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, që kishte në fokus shqyrtimin e raportit vjetor për vitin 2018 dhe kalendarin e punës të këtij grupi për vitin 2019, si dhe diskutimet rreth rolit të grupit për avancimin e të drejtave të fëmijëve.

Takimi u organizua nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili në fjalën e tij gjatë aktivitetit inkurajoi grupin “Miqtë e Fëmijëve” për veprimtarinë e mëtejshme për vitin 2019.

“Dua të inkurajoj grupin për të avancuar angazhimet për trajtimin e çështjeve dhe të problematikave të fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë si dhe për realizimin dhe plotësimin e planit të veprimit dhe të kalendarit të veprimtarisë së grupit ‘Miqtë e Fëmijëve’”, tha Ruçi.

Duke folur për arritjet, kryeparlamentari Ruçi theksoi se një ndër arritjet më të qenësishme për vitin 2018 ishte propozimi nga deputetët anëtarë të grupit i projektligjit për disa shtesa për ndryshimet në ligjin për gjendjen civile, i cili miratua në tetor të vitit 2018.

“Ky ligj mundësoi lehtësimin e barrierave ligjore dhe administrative për të mundësuar regjistrimin e fëmijëve shqiptarë të lindur jashtë vendit ose të lindur në Shqipëri, të cilët i përkasin kategorive të margjinalizuara”, deklaroi Ruçi.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, njëherësh dhe nënkryetare e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, prezantoi raportin vjetor të veprimtarisë së këtij grupi për vitin 2018 si dhe sfidat për vitin 2019-2021. Sipas Hysit, takimi i sotëm është një llogaridhënie që bëhet nga anëtarët e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.

“Një risi për vitin 2018 është se numri deputetëve që ju bashkuan grupit është rritur, duke shkuar në 32 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare. Fokusi i grupit është në çështje që lidhen me përmirësimin e legjislacionit që parashikon mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ndërmarrjen e nismave ligjore, organizimin e seancave dëgjimore me përfaqësues të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, lidhur me mbledhjen e informacioneve për situatën e fëmijëve dhe promovimin e instrumenteve të rinj”, tha Hysi.

Duke folur punën e vitit 2018, Hysi tha se gjatë vitit grupi ka pritur 12 mijë fëmijë nga i gjithë vendi, me të cilët janë zhvilluar takime dhe sesione informimi. Sa i përket sfidave të vitit 2019, një nga sfidat e këtij grup është adresimi i të gjithë kërkesave të shtuara nga fëmijët në takimet e zhvilluara.

Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” funksionon pranë Kuvendit të Shqipërisë dhe synon mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe ndërmarrjen e nismave për promovimin e këtyre të drejtave. (Anadolu Agency – AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne