Shqipëri – Turqit ofrojnë mbështetje për të moshuarit

Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë në bashkëpunim me Fondacionin Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) zhvilluan në Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë, që ndodhet në lagjen “Ali Demi” aktivitetin me temë “Takimi i Brezave”.

“Takimi i Brezave”, kishte si qëllim takimin e të moshuarve me fëmijët jetimë dhe në aktivitet morën pjesë, bashkëshortja e Ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë Murat Ahmet Yörük, Ayşegül Erdal Yörük, punonjëse të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, bashkëshorte të punonjësve të ambasadës, kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra, etj.

Në fjalën e saj, Ayşegül Erdal Yörük tha se qëllimi i këtij aktivitet është për të ndërtuar një urë mes brezave të mbështetur në dashuri dhe në respekt, që të moshuarit të ndiejnë se “jemi pranë tyre dhe që ata t’u transmetojnë përvojat dhe këshillat e tyre edhe brezave të rinj”.

Më tej gjatë fjalës së saj, Zonja Yörük tha se “dëshirojmë që t’i kthejmë në traditë vizitat tona me temë ‘Takimi i Brezave’ ”

“Të moshuarit tanë janë çatitë që bashkojnë familjet tona, janë pemët e mëdha ku ne gjejmë qetësi nën hijen e tyre. Është detyrë atdhetare e të gjithë individëve të shoqërisë që t’u dalin zot të moshuarve, të interesohen për ta. Të kënaqësh të moshuarit tanë, të cilët një pjesë të madhe të jetës së tyre ua kanë kushtuar shoqërisë dhe vendit të tyre, është një veprim që të ngjall krenari. Unë jam e lumtur që bashkë me drejtuesit e Shtëpisë të Moshuarve Tiranë, personelin e Fondacionit ALSAR dhe të Ambasadës sonë, jemi pranë të moshuarve dhe fëmijëve tanë”, deklaroi Yörük.

Ndërsa zëvendësdrejtoresha e Shtëpisë së Moshuarve Tiranë, Klodjana Baxho, falënderoi të gjithë të pranishmit në emër të Shtëpisë të Moshuarve Tiranë si dhe për mbështetjen e Turqisë ndër vite.

Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra, tha se ALSAR prej vitesh ka ndërmarrë fushata të aktiviteteve humanitare për shtresat të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

“Një pjesë e juaja është në pozicionin e të qenurit gjysh dhe ne menduam që fëmijët që kemi këtu i sollëm që dhe ju të kujtoni nipërit dhe mbesat tuaja, për të kaluar së bashku disa momente për t’ju gëzuar ju sadopak me mundësitë që kemi. Ne dëshirojmë që aktivitete të tilla të vazhdojnë dhe në të ardhmen. Sot kemi përmbushur ato kërkesa që na kanë ardhur për institucionin tuaj. Tani e tutje do të mundohemi të jemi sa më pranë dhe do mundohemi të bëjmë aktivitete argëtuese, që dhe ju të kujtoni nipërit, mbesat dhe rininë tuaj. Ju keni qenë si ne, por ne do të bëhemi si ju në aspektin e moshës, prandaj duhet të kujdesemi në për ju, që kur të na vijë ne radha, dikush të kujdeset për ne”, tha Gurra.

Gjatë aktivitetit, fëmijët jetimë që mbështeten nga Fondacioni “ALSAR” paraqitën edhe një program artistik, me recitime, këngë dhe valle të ndryshme për të moshuarit e kësaj qendre.

Gjatë aktivitetit dhe vizitës së përfaqësuesve të Ambasadës së Turqisë në Tiranë në Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë u dhuruan pajisje për këtë institucion të përkujdesjes për të moshuarit, si ngrohëse elektrike, televizorë, impiant muzike si dhe pajisje të tjera. (Anadolu Agency AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne