Shqipëria, e dyta në Europë dhe e pesta në botë për fjetoret më të lira

Campsy, platforma online gjermane për rezervimin e tendave të kampingut, ka bërë një renditje të destinacioneve më ekonomike midis kampingjeve, airbnb dhe hosteleve.

Studimi ka analizuar çmimet për zgjedhjet me kosto të ulët në më shumë se 150 qytete dhe 50 destinacione turistike botërore.

Sipas portalit gjerman, Shqipëria renditet e dyta në Europë dhe e pesta në botë si një nga destinacionet me kosto më të ulët. Një natë në hostel në Tiranë përllogaritet rreth 8 euro.

Qyteti i parë në botë, me kosto më të ulët për një natë qëndrimi në hostel, është Kievi, me 5.9 euro, i ndjekur nga Kajro dhe Kuala Lumpur ku një natë iu kushton 7 euro.

Vendet me kosto më të lartë

Të fundit në renditje janë qytetet zvicerane, Luzanë dhe St. Moritz, ku një natë në hostel kushton mesatarisht 52 euro.

Në fund të renditjes gjenden edhe qytetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Nju Jorku dhe Bostoni, ku një natë kushton mesatarisht 46.5 euro./Monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne