Shqiperia

Shqipëria gjendet në pragun kritik të destabilizimit, qeveria nuk do e përballojë dot revoltën e qytetarëve

Marko Bello, ish-ministër i PS-së, në intervistën për gazetën “Telegraf”  thotë se ndërkombëtarët, BE dhe SHBA do t’ia lënë barrën e zgjidhjes së krizës politike vetë politikanëve  vendas. Opozita, thotë Bello, duhet të bindë ndërkombëtarët për kauzën e tyre, ndryshe mazhoranca do ta rikthejë situatën në favor të saj.

-Zoti Bello, a mund të vijë zgjidhja e konfliktit politik në Shqipëri vetëm me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve?

– Palët janë ngujuar në llogoret e tyre dhe duket tejet e vështirë të gjendet një zgjidhje e shpejtë. Të tilla ngjarje janë parë shumë në këto gati 30 vjet demokraci, por sigurisht është hera e parë që pakica (PD+LSI) vendosi të “djegë” mandatet dhe t’i drejtohet qytetarëve, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Në kësi rastesh, vëmendja kthehet nga faktori ndërkombëtar, me shpresën se ai, me petkun e arbitrit, mund të ndërhyjë për t’i bindur palët të ulen në bisedime dhe gjejnë kompromis. Por, nuk duhet harruar një fakt i thjeshtë: Shqipëria nuk shikohet më me syrin e 15-20 viteve më parë, si një demokraci e re që ka nevojë për mbështetje. Si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, për Perëndimin Shqipëria ka ndryshuar dhe konsoliduar, ajo do të vijojë të mbështetet, por duke ia lënë gjithnjë barrën e zgjidhjes së problemit vetë politikanëve vendas.

– Eurodeputetët në Tiranë bënë përgjegjës të krizës politike opozitën, pse dorëzoi mandatet e deputetëve. A është opozita shkaku i kaosit politik?

– Vendimi i opozitës është krejt radikal, i pa praktikuar tjetërkund dhe sigurisht i paimagjinueshëm për partnerët tanë perëndimorë, për të cilët institucionet mbeten i vetmi vend ku mund të zhvillohet demokracia dhe shteti i së drejtës. Kështu që opozita e fillon këtë betejë që në fillim përpara një të përpjete të mundimshme dhe me shumë të panjohura. Qëndrimi i delegacionit të Parlamentit Evropian dje konfirmon pikërisht këtë konkluzion. Partive opozitare do t’u duhet shumë durim dhe përpjekje të bindin faktorin ndërkombëtar, kryesisht SHBA dhe vendet e BE se veprimi i tyre ekstrem ka qenë “e vetmja mundësi” për të sensibilizuar opinionin vendas dhe të huaj se Shqipëria ka probleme serioze me votën dhe demokracinë.

Nëse mazhoranca dhe opozita nuk ulen në bisedime të gjejnë rrugëzgjidhje, çfarë mund të ndodhë?

– Intransigjenca e mazhorancës e bën edhe më të vështirë zgjidhjen e këtij ngërçi të paprecedent, aq më tepër që në fazën e parë, ajo ka dhe do të ketë mbështetjen e institucioneve të Brukselit dhe të kancelarive perëndimore. Në rast se kauza për të cilën lufton opozita (rikthimi i votës së lirë, eliminimi i lidhjeve të politikës me krimin, lufta pa kompromis kundër korrupsionit etj) do të gjejë gjithnjë e më shumë përkrahje te qytetarët, në se qeveria do të ketë vështirësi në ruajtjen e rendit, qetësisë dhe stabilitetit, nëse mazhoranca do të refuzojë të gjejë zgjidhje politike përmes dialogut, atëherë mund të asistojmë në ndryshimin e qëndrimit të ndërkombëtarëve: presioni i tyre do të ndryshojë kah, duke kaluar nga opozita te mazhoranca, të cilës do t’i kërkohet që të gjejë zgjidhje të pranueshme nga palët, me qëllim që vendi të mos rrëshqasë në hulli të rrezikshme destabizilimi.

– A mund të quhet normalitet politik parlamentar, nëse disa emra që janë në listat e PD dhe LSI, pranojnë të marrin mandatet e deputetëve?

– Gjithçka do të varet nga dinamika e zhvillimit të ngjarjeve. Nëse fluksi i mbështetësve të opozitës do të rritet, nëse pretendimet e saj do të gjejnë përkrahje në shtresa të ndryshme të popullsisë dhe në mbarë territorin e vendit, qeveria dhe kreu i saj do ta kenë realisht të vështirë të vijojnë më tej sikur asgjë nuk ka ndodhur. Në të kundërtën, në rast se kauza e opozitës nuk gjeneron shpresë dhe optimizëm se gjerat në këtë vend mund të përmirësohen, nëse lidershipi i saj nuk arrin të bindë qytetarët se alternativa e tyre është më e mirë, se ata nuk duan thjesht ndërrimin e kahut të pushtetit, por ndaljen e rrokopujë dhe degradimit të cilësisë së jetës së shumicës së qytetarëve, mazhoranca mund ta ndryshojë situatën në favor të saj.

– Ngjarjet politike mund të arrijnë deri aty, sa të bojkotohen nga opozita edhe zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019?

– Kontrolli i plotë që liderët partiake morën pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe ekskluziviteti që ata kanë sa i përket përpilimit dhe vulosjes së listave me kandidatë për kryetarë bashkish ose deputetë e bën krejtësisht të panevojshëm dhe madje qesharak tentativën për kufizimin me ligj për të zgjedhurit. Për më tepër, ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese dhe në rast se miratohet, ai do të aplikohej vetëm për vitet që vijnë, jo ato që shkuan. Problemi i Reformës Zgjedhore mbetet padyshim një problem për zgjidhje. Duhet vullnet politik në radhë të parë, duhen drejtues të përgjegjshëm partish, dhe pa asnjë diskutim kërkohet demokraci reale, kritere të qarta dhe rregulla loje të mirëpërcaktuara brenda forcave politike që në bashki apo Parlament të zgjidhen njerëz me reputacion, të aftë, të përkushtuar dhe me integritet të lartë moral. Problemi që ngre tani PS-ja në KQZ për mos kandidimin e asnjë kandidati për kryebashkiak, që ka bërë deri tani 2 mandate, është i stisur dhe kërkon të zhvendosë vëmendjen nga thelbi i problemit. Askush nuk i pengon liderët e partive të kandidojnë ose jo njërin apo tjetrin kryetar bashkie.

 

OPINIONE