Shqipëria, i vetmi shtet ballkanik që ka bllokuar riatdhesimet, qytetarët në mëshirë të fatit

Në mes të një pandemie si shpërthimi i koronavirusit, një nga gjërat më të këqija që mund të ndodhë është të gjendesh jashtë vendit, në një vend të huaj, pa para dhe pa ndihmë, ndërkohë që kufijtë e vendit tënd janë të mbyllura.

Të gjitha vendet e rajonit, përveç përballjes me krizën e shkaktuar nga koronavirusi, është dashur të përballen edhe me krizën e riatdhesimit të shtetasve të tyre të mbetur në mëshirë të fatit nëpër botë, ndërkohë që shpërtheu epidemia dhe vendet mbyllën kufijtë njëri pas tjetrit.

Por jo të gjitha vendet po operojnë njësoj.

Në Shqipëri, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbylli të enjten operacionet e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë që për një arsye a një tjetër, u gjendën jashtë vendit në këtë kohë të vështirë të shpërthimit të Covid 19.

Ministria tha se plani i riatdhesimit është mbyllur me fluturimin e bërë dy ditë më parë nga Roma. Por vendet e tjera të rajonit vazhdojnë procesin e riatdhesimit të shtetasve të vet.

Kroacia vazhdon kthimin në atdhe të shtunën të dhjetëra shtetasve të saj, kryesisht studentë, që vijnë nga Spanja, Portugalia, Italia dhe Suedia. Përveç kthimit me avionë, kroatët po shqyrtojnë edhe mundësinë e kthimit të tyre me traget nga Ancona në Zadar.

“Është detyra jonë të kujdesemi për sigurinë e qytetarëve tanë dhe t’i ndihmojmë ata të kthehen në shtëpi,” tha ministri i jashtëm kroat Radman Grlic.

Kroacia ka bërë “fluturime të jashtëzakonshme tregtare të riatdhesimit” ndërkohë që udhëtarëve iu është kërkuar të vënë maska mbrojtëse dhe doreza. Qindra kroatë kthehen të shtunën nga Portugalia, Spanja, Italia dhe Suedia përmes fluturimeve komerciale të Croatian Airlines.

Edhe Bosnjë Hercegovina vazhdon riatdhesimet. Ministria e jashtme e këtij vendi njoftoi se riatdhesimi i qytetarëve të BiH nga Italia u bë me sukses për herë të parë në histori. Ministria e jashtme tha se riatdhesimet u shoqëruan me pengesa të mëdha dhe nevojën për koordinim ditor të të gjitha shërbimeve përkatëse në të gjitha nivelet e qeverisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kosova ndoqi modelin e riatdhesimit përmes organizimit të kthimit me avionë, por biletat paguhen nga vetë qytetarët. Ministria e Shëndetësisë jepte miratimin për fluturimin e rradhës.

Avionët shkonin bosh nga Prishtina dhe ktheheshin me qytetarët e riatdhesuar. Vetëm gjatë muajit mars, mbi 1 mijë shtetas të Kosovës që gjendeshin jashtë vendit kërkuan të kthehen në Kosovë.

Më shumë kërkesa kishte nga Gjermania, Zvicra, Kroacia, Belgjika dhe Skandinavia. Të gjithë të kthyerit vendosen për dy javë në Qendrën e Studentëve, e cila është kthyer që në fillim të krizës në karantinë me vendim të qeverisë së Kosovës. Qindra persona të kthyer u vendosën në këtë qendër.

Megjithatë, Kosova u ka kërkuar shtetasve të vet që nuk kanë urgjencë kthimi, të mos paraqiten në ambasadat e Kosovës. Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar që nëse kanë mundësi, kudo që janë nëpër botë, të qëndrojnë në shtëpi. Në procesin e sistemimit të të kthyerve ka ndihmuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila bën transportin e personave nga Aeroporti “Adem Jashari” drejt e në karantinë.

Abdixhiku kishte thënë se kthimi i qytetarëve të Kosovës, të evidentuar nga ambasadat, do të vazhdojë në mënyrë të kujdesshme, të organizuar dhe pa rrezik për qytetarët brenda vendit. Por situata nuk mund të menaxhohet aq lehtë.

Mediat në Kosovë raportuan se disa persona të karantinuar në Qendrën e Studenteve në Prishtinë organizuan të enjten pothuaj në mesnatë një protestë, pas së cilës ka ndodhur edhe një rrahje. Personat e karantinuar që kanë qëndruar aty për më shumë se 2 javë nuk janë testuar për Covid-19, gjë që ka sjellë përshkallëzimin e situatës.

Maqedonia e Veriut ka riatdhesuar deri tani më shumë se 1500 shtetas të saj nga shtete të ndryshme si Malta, Kroacia, Sllovenia, Gjermania apo Austria./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne