Shqiperia

Shqipëria vendi i varfër, ndërsa gjyqtarët do kenë pagat më të larta në Evropë

Me hyrjen në fuqi të sistemit të ri të pagave, gjyqtarët shqiptarë do të jenë ata më të paguarit në Europë, në raport me pagën mesatare.

Kështu, prej 1 janarit të vitit që vjen, paga mesatare e një gjyqtari shqiptar do të jetë 247 mijë lekë, ose 2000 euro në muaj, që përkthehet në 24 mijë euro në vit.

Në terma absolutë, gjyqtarët skocezë janë ata më të paguarit në Europë, me 150 mijë euro pagë mesatare. Më pas ndjekin ata nga Zvicra me 126 mijë euro, ndërkohë që në fund të tabelës kemi ata nga bullgaria me rreth 10 mijë euro në vit dhe në fund fare të listët, ata nga Moldavia me vetëm 3200 euro në vit.

Pra, Shqipëria është ndër vendet e fundit të tabelës në terma absolutë, me një pagë në vetëm 24 mijë euro në vit. Po në raport me pagën mesatare? Situata përmbyset, pasi Shqipëria ngjitet në krye të tabelës.

Kështu, nga hulumtimet e “Scan”,  rezulton se, gjyqtarët shqiptarë do të jenë ata më të paguarit në Europë, me një pagë 5.12 herë më të lartë se ajo mesatare në vend. Ata nga Skocia paguhen 5.08 herë më shumë se paga mesatare në vendin e tyre.

Në Zvicër, gjyqtarët paguhen vetëm 2.3 herë mbi pagën mesatare, në Bullgari 1.6 herë dhe në Moldavi vetëm 1.1 herë.

Mesa duket, lëvizja për të ulur korrupsionin në sistemin e drejtësisë nëpërmjet rritjes së pagave, është e përligjur, e ndoshta për shumëkënd e tepruar, pasi prej 1 janarit 2019, gjyqtarët shqiptarë do të jenë më të paguarit në Europë në krahasim me standardin e vendit.

Lëvizja synon që t`i japë fund një prej sektorëve më të korruptuar në vend, pasi do të jetë plotësuese e vettingut. Pastrimi i sistemit të drejtësisë, së bashku me rritjen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve synohet të arrijnë qëllimin madhor të uljes së korrupsionit galopant.

 

OPINIONE