Shqipëria vlerësohet maksimalisht nga Komisioni Evropian për reformën në administratë

Reforma në Administratës Publike të Shqipërisë ka marrë vlerësimet maksimale nga Komisioni Evropian dhe renditet e para në rajon, pasi qeveria kërkon një administratë profesioniste, që shkon përtej bindjeve politike, pohoi të martën zv/kryeministrja Senida Mesi, në dëgjesën në Komisionin e Integrimit.

Komisioni i Integrimit ka zhvilluar sot mbledhjen me dëgjesën me Zv/kryeministren Senida Mesi për administratën publike, reformën dhe gjendjen si një ndër pesë prioritetet kyç që duhen përmbushur në rrugën drejtë çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE.

Kryetari i Komisionit të Integrimit Genc Pollo pasi bëri prezent rendin e ditës me dëgjesën dhe shqyrtim për projektligjin për statistikat zyrtare, tha se materialet e ardhura nga qeveria dhe materialet e ardhura nga komisioneri për shërbimin civil do bëhen prezent nga Zv/kryeministrja Senida Mesi.

Në prezantimin e saj, zv/kryeministrja Senida Mesi tha se reforma në administratën publike është një nga pesë prioritetet më të rëndësishme dhe për hir të së vërtetës ka marrë dhe notat më pozitive në lidhje me vlerësimin nga Komisioni Europian.

“Vlerësuar edhe nga progres raporti i Komisionit Europian, ku thuhet se Shqipëria është e përgatitur në drejtim të reformës së Administratës Publike, janë bërë përparime në administratën publike për sa i përket procedurave të rekrutimit në administratë, ka vazhduar thellimi i reformës dhe menaxhimit të financave publike”, tha ajo.

Më tej, Mesi shtoi se mendojmë që reforma në Administratën Publike jo se është një nga prioritetet kyçe të integrimit të Shqipërisë në BE, por ne si qeveri kërkojmë të kemi një administratë profesioniste, një administratë që shkon përtej bindjeve politike. “Duke qenë se administrate është guri i themelit të demokracisë, ajo luan një rol thelbësor jo vetëm në procesin e integrimit, por dhe në avancimin e të gjithë reformave që qeveria po ndërmerr qeveria”, tha Mesi.

Vlerësimi e rendit Shqipërinë në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi

Lidhur me vlerësimin e administratës publike ai është një vlerësim që bëhet nga SIGMA, tha Mesi, duke vijuar se “vlerësimi e rendit Shqipërinë në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat janë një hap para për procesin e integrimit të Bashkimit Europian”, tha Mesi.

Ajo, informoi se në 2017-të, kemi hartuar planin e ri të veprimit të strategjisë për periudhën 2018-2020. “Vlen të theksohen arritjet në kuadër të implementimit të ligjit për shërbimin civil, përmirësimit të procedurave të rekrutimit, zhvillimit në karrierë dhe mundësive të promovimit brenda administratës”, tha Mesi.

Gjithashtu, ka patur zhvillime të konsiderueshme lidhur me thjeshtimin e procedurave administrative dhe mbikëqyrjen, në kuadër të Reformës së Derregullimit, e cila bazohet tek inovacioni dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit në drejtim të ofrimit të shërbimeve elektronike”, vijoi zv.kryeministrja.

“Në lidhje me raportin e progresin që e bëjnë institucione të pavarura ka marrë vlerësime maksimale siç është kuadri strategjik i reformës në administratën publike, koordimin dhe zhvillimi i politikave, menaxhimi i burimeve njerëzore, përgjegjësia dhe menaxhimi i financave publike. Ne varësi të këtij vlerësimi si dhe në progres raportin e vitit 2017 Shqipëria është e vlerësuar në rajon me 42 pikë”, tha Mesi.

Më tej, ajo shtoi se “sigurisht më përpara është Mali i Zi, por Shqipëria zë vendin e parë në lidhje me ecurinë pozitive të këtij raporti. Nuk është vetëm vlerësimi i përgjithshëm, sigurisht ka të bëjë edhe me vlerësimet individuale me të gjithë komponentët të reformës në Administratës Publike, pasi ka një ecuri pozitive. Ajo vlen për t’u theksuar është se vlerësimi shkon te cilësia në kuadër të strategjisë së reformës në administratën publike, i legjislacioni, zhvillimi profesional dhe trajtimi i stafit etj”.

“Sigurisht që një nga sfidat e qeverisë shqiptare është procesi i rekrutimit, mënyra e dhënies së shërbimeve, dixhitalizimi i shërbimit dhe nga ana tjetër shërbime transparente për qytetarin. Shqipëria ka marrë vlerësime maksimale, si nga SIGMA por dhe nga raporti i Bashkimit Europian. Fokusi ynë do vazhdojë me forcimin e shërbimit civil të qëndrueshëm, forcim të administratës aktuale dhe përmirësimin e legjislacionit. Kemi në dorë strategjinë e viti 2018-2020 dhe së shpejti brenda dy javëve do ulemi në një tryezë konsultimi. Faza e parë e rikonstruktimit të ministrive ka kaluar, jemi tashmë duke punuar hap pas hapi me pjesën e ristrukturimit të organeve të varësisë” , tha ajo.

Po ashtu, Mesi shtoi se “ vlen për t’u përmendur procesi i bashkëpunimi me Bashkimin Europian e cila do na ndihmojë për përmirësimin e legjislacionit të shërbimit civil, për metodologjinë, pasi testet dhe vlerësimet janë në mënyrë automatike, po ashtu dhe transparenca në procesin e vlerësimit dhe rekrutimi” .

“Në lidhje me fokusin dhe të përcaktuar dhe nga raporti i SIGMA-së janë disa element që ne do ti mëshojmë më fort gjatë vitit 2018 të cilët janë elementët e përshtatshmërisë së planit buxhetor afat shkurtër dhe afat mesëm me strategjinë e reformës në administratës publike. Elementi i dytë që vlerësohet nga BE është forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe anëtarëve të komisionit të përzgjedhjes në mënyrë që procesi i rekrutimit të jetë i rregullt. Të përfundojë legjislacioni përkatës me Kodin e Procedurave Administrative dhe të miratoje aktet nënligjore përkatëse. Do të bëjmë të mundur trajnimin e stafeve dhe të trajnerëve që të na mundësojnë për forcimin e kapaciteteve”, tha Mesi.

Kundërshtia e opozitës

Kryetari i Komisionit të Integrimit Genc Polla, shton se Komisioni ka pritur që nga muaj dhjetor për këtë takim, ju thatë se vlerësimi nga Bashkimi Europian përmes kompanisë SIGMA, apo raportet e progresit kanë qenë pozitiv në administratës publike.

Po ashtu, Pollo duke iu referuar shifrave u shpreh se “në raportin e komisionit për nënpunësin civil qendror dhe vendor konstaton se lëvizjet kanë qenë të paligjshme dhe në një material krahasues që unë kam, rezulton se në vitin 2015, përqindja e paligjshmërisë ka qenë 3.5% në vitin 2016 është rritur me 14%, duke arritur majën vitin e kaluar 29.9%, ç’ka nuk përputhet me panoramën që ju treguar. Po këto raporte të komisionerit për vite 2015-2106, japin arsye të përfundimit të marrëdhënies së punës për ristrukturim, pasi dihet se kjo është mënyra për të hequr ata që nuk i duam dhe kemi 226 vetë të larguar në vitin 2015 dhe 125 në vitin 2016, dhe kjo është panorama vetëm e atyre institucioneve që komisioneri ka monitoruar, pasi shifra është më e madhe”.

“Raporti i SIGM flet për shkarkime të pa justifikuara në nivele vertikale dhe horizontale dhe kryesisht të institucioneve që varen nga kryeministria dhe ministritë”, thekson Pollo.

Anëtarja e Komisionit të Integrimit të LSI-së, Klajda Gjosha tha se reforma në administratë publike është konsideruar si kryesore për procesin e integrimit në BE. “Ajo që ndodhi në shtator të viti 2017 është për të ardhur keq. Të shkrish institucionet nuk do të thotë reformë, pasi reformë do të thotë të zbatosh ligjet, do të thotë të analizosh administratën publike, t’i vlerësosh, t’i ngresh në detyrë, të respektosh atë dhe jo të shkrish institucionet me një të rënë të lapsit, siç ka ndodhur”, tha ajo.

“Shkrirja e institucioneve ka sjellë një rrëmujë, sepse me qindra vende pune janë të pa plotësuara. Punonjësit nuk kanë ende të qartë pozicionet e punës dhe është një analizë që duhet bërë nga ministrat dhe institucionet sepse kjo është një administratë që do çojë vendin para dhe në reformat që do të ndërmarr vendi”, tha ajo.

Në përgjigje të interesit të anëtarëve të Komisionit të Integrimit, Mesi tha se janë liruar nga sistemi i shërbimit civil vetëm 50 punonjës. “Ne na duhet një sistem që të funksionojë, ne nuk themi se kemi bërë gjithçka por jemi në proces reformimi. Nuk jam me idenë ta bëjmë nga fillimi, siç u tha këtu, se kështu i bie të largojmë 100% stafin për të nisur nga e para”.

Mangësitë e trashëguara në administratë publike

Anëtarja e Komisionit të Integrimit të PS-së, Elisa Spiropali në fjalën e saj tha se ne kemi në administratë sëmundje të vjetra edhe shoqërore por dhe ato qe i ka shtuar politika, klientelizmi, klanet, kushërinj, parti, tepsi dhe të gjitha bashkë i kanë hequr mundësinë qytetarëve shqiptarë që të kenë shërbimet që ata meritojnë.

“Jemi përpara një fakti me progresin që është bërë në reformën në administratës publike, pasi vetëm 4% e administratës ndryshon. Vetëm në 2005 janë hequr 70% e administratës ”, tha Spiropali.

Po ashtu, Spiropali tha se Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë asgjë më shumë në raport me administratën publike, por çudia është se sa herë që BE del me raport pozitiv për Shqipërinë, dalin zyra dhe e mohojnë. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne