Si i shpenzoi qeveria paratë për investimet kapitale në janar-prill; 4 milion euro shkuan për pagesa koncesionesh

Rruga Kardhiq -Delvinë, Bypass i Fierit, ai Tepelenës, bashkë me koncesionet e rrugës së Arbrit dhe rrugës së Kombit ishin projektet më të financuara gjatë katër mujorit të parë të vitit 2020, bashke me disa projekte të tjera të infrastrukturës pavarësisht se pandemia Covid kushtëzoi rëndë ecurinë e treguesve buxhetorë si në të ardhura dhe shpenzime.

Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave projekti më i financuar i investimeve publike në 4 mujor ishte rruga Kardhiq-Delvinë.

Nëpërmjet 4 loteve ky aks mori 2,3 miliardë lekë financime buxhetore nga zëri investimeve kapitale. Financimet për Kardhiq -Delvinë zunë 15 % të totalit të shpenzimeve për investime në këtë periudhe.

Projekti i dytë më i financuar ishte By-pass i Fierit i cili është në përfundim me një shumë 1,4 miliardë lekësh ose rreth 9 për qind e totalit të fondeve të shpenzuara për investime në katër mujorin e parë.

By passi i Tepelenës ishte projekti i tretë më i financuare me një shumë totale Prej 1 miliardë lekësh, ose rreth 6,5 për qind të totalit të fondit të akorduar për periudhën.

Ndërtimi me PPP i rrugës së Arbrit ishte projekti i katërt më i financuar, me 630 milionë lekë në katër mujor, teksa përgjatë gjithë vitit ishin programuar të financoheshin mbi 1,5 miliardë lekë.

Në periudhën në fjalë subvencionimi i kontratës koncesionare trafikut në rrugën e Kombit ishte zëri i pestë më i financuar me mbi 367 milionë lekë, ose rreth 3 mln euro.

Inceneratori i Elbasanit mori 145 mln lekë, ose më shumë se 1 mln euro. Për inceneratorin e Fierit këtë vit fondi i parashikuar është zero, ndërsa ai i Tiranës nuk raportohet tek shpenzimet kapitale, por tek ato korente.

Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave për shumë nga projektet e financuare në katër mujor nuk ishin programuar fonde, ndërsa projektet e programuara për financim kanë konsumuar një pjesë të madhe të fondeve vjetore, ndryshe sa ka ndodhur vitet e tjera kur në katër mujorin e parë shpenzimet për investime shfaqin dobësi.

Gjatë katër mujorit të parë të vitit 2020 shpenzimet për investime ishin 16 miliardë lek më një rritje 2,4 për qind në raport me faktin e periudhës.

/Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne