Si të pozicionohemi në raport me Perëndimin?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Përgjatë dy shekujve të fundit, gati të gjitha shoqëritë joperëndimore janë përfshirë pak a shumë në një proces perëndimizimi. Kjo situatë vjen në thelb nga karakteri dominues që ka fituar Perëndimi dhe civilizimi i tij në këtë proces. Shoqëritë, të cilat janë mposhtur në konfliktet apo luftërat e tyre me Perëndimin, hyjnë deri diku si zgjidhje në procesin e perëndimizimit.

Sigurisht, arsyeja e mposhtjes së shoqërive joperëndimore karshi atyre perëndimore nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimet në Perëndim. Shkaku më i rëndësishëm i situatës aktuale është ndoshta se këto shoqëri e kanë të pamundur që të riprodhohen nga historia, tradita, kultura dhe qytetërimi i tyre sipas kërkesave të kohës dhe se me rrugëtimet e tyre karakteristike s’janë në gjendje të eliminojnë nevojat në zhvillim apo kërcënimet me të cilat përballen. Këto shoqëri duhet të vijojnë të kërkojnë me një rrugëtim autentik të tyrin, me një këndvështrim ontologjik dhe me një mprehtësi epistemologjike, në mënyrë që të mund të vazhdojnë ekzistencën e tyre në shekujt e ardhshëm.

Këto gjurmime të këtyre shoqërive padyshim do të vijojnë. Por ndërkohë edhe jeta vazhdon. Ndaj s’mund të thuhet se shoqëritë joperëndimore “duhet të rinovojnë fillimisht vetveten dhe pastaj të kalojnë në kontakt me Perëndimin”. Teksa në njërën anë vazhdojnë këto përpjekje, në anën tjetër ato duhet pashmangshmërisht të mbajnë marrëdhënie me Lindjen, Perëndimin, Veriun dhe Jugun njëkohësisht. Sepse jeta është e pandalshme. Këtu mund të ngrihet pyetja se ç’lloj marrëdhënieje do të krijojnë shoqëritë joperëndimore me Perëndimin dhe qytetërimin e tij apo si do të pozicionohen ato në raport Perëndimit pa qartësuar së pari qëndrimin ontologjik të tyre.

Civilizimet e mëdha, siç është ai islam, nuk janë qytetërime pa rrënjë dhe sipërfaqësore të shfaqura dje. Me akumulimet e tyre për shekuj të tërë dhe me përvojat e mundësimit të bashkëjetesës në harmoni të shoqërive shumë të ndryshme, ato kanë tashmë fanarët dhe referencat e tyre themelore. Këta fenerë përhapin dritë më se të mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve me të cilat ato ballafaqohen sot. Për më tepër, zbulimi i Islamit si fe s’është plotësuar në një herë të vetme, por gradualisht si një praktikë e shtrirë në kohë, në varësi të rrethanave e situatave të hasura në jetë.

Çfarë qëndrimesh apo pozicionesh do të kenë shoqëritë joperëndimore në raport me Perëndimin teksa përpiqen të riprodhojnë vetveten multilateralisht nga rrënjët e tyre?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje ishte e rëndësishme edhe dje, por akoma më e rëndësishme është sot. Në dy shekujt e fundit, influenca e Perëndimit është rritur edhe më shumë në mbarë botën. Ç’është më e rëndësishme, dhjetëra-miliona njerëz nga shoqëritë joperëndimore sot jetojnë në Perëndim. Marrëdhënia që ata do të ndërtojnë me hapësirat gjeografike dhe shoqëritë perëndimore në të cilat jetojnë, është sa jetike dhe vendimtare.

Ndjenja antiperëndimore është mjaft e përhapur si për shkak të politikave pushtuese në shoqëritë joperëndimore ashtu edhe si pasojë e politikave asimiluese në komunitet joperëndimore që jetojnë në Perëndim. Kjo ndjenjë antagoniste e njerëzve të ekspozuar ndaj politikave perëndimore të pushtimit apo asimilimit është e kuptueshme. Megjithatë ndjenja antagoniste në fjalë ndonjëherë s’kufizohet vetëm me Perëndimin, por është në gjendje të përfshijë të gjitha fushat e jetës. Qasjet antiperëndimore, antimoderniste, antikapitaliste dhe antiglobaliste mund të shihen në çdo fushë. Ndjenja e antagonizmit nganjëherë shkon deri në atë pikë, saqë individët mund t’i veshin një sendi që e kundërshtojnë papajtueshmërisht madje edhe një atribut, të cilin nuk ia japin as Krijuesit që i takon. Modernizmi, globalizmi, Perëndimi dhe Sionizmi fantazohen ndonjëherë me një fuqi të mbinatyrshme apo hyjnore, sikur rrotullojnë të gjithë botën, rrethojnë çdo aspekt të jetës dhe shtien në dorë gjithçka që duan arbitrarisht.

Pa dyshim, ka shumë elementë që duhet të kundërshtohen brenda Perëndimit dhe qytetërimit të tij. E gabuar nuk është opozita e bërë pas vlerësimeve të kryera me vetëbesim, por kundërshtia grosiste. Për individët e mbërthyer nga ndjenja e pafuqisë, humbjes, rrethimit dhe shtypjes mbase mund të jetë një çlirim apo lehtësim të kundërshtojnë gjithçka dhe të përfytyrojnë me një fuqi hyjnore atë që kundërshtojnë. Masave dhe të rinjve në veçanti mund t’u duket tërheqëse. Shumëçka mund të shkatërrohet përmes antagonizmit. Por me antagonizëm apo si antagonist i diçkaje nuk mund të ndërtohet asgjë autentike. Kur një person, ideologji apo pikëpamje e përkufizon veten me anë të një diçkaje të cilën e kundërshton, ai/ajo identifikohet dhe trajtësohet nga vetë ajo që kundërshton. Sepse të përcaktosh veten përmes antagonizmit, në të kundërtën do të thotë t’i dorëzohesh asaj që i vihesh kundër.

Në anën tjetër, të pozicionohesh me një reaktivitet përmes antagonizmit, pavarësisht ndjenjës lehtësuese të tij, përse mund të kontribuojë tjetër veçse për të forcuar akoma më tepër ndjenjën e rrethimit dhe për të shkëputur edhe më shumë nga jeta, bota e realiteti? Të pozicionohesh vetëm me anë të antagonizmit, duke qenë se eliminon mundësitë që njeriu të marrë në pyetje ndërgjegjen e tij, domethënë t’i kërkojë llogari vetes, të drejtat e asaj që kundërshton dhe shanset e bashkëpunimit të mundshëm, në të vërtetë thellon pazgjidhshmërinë dhe ndjenjën e pafuqisë. Një reaktivitet i tillë përgjithësisht mbështetet fuqishëm edhe nga të kundërshtuarit vetë. Raporti i dikurshëm ndërmjet hashashinëve dhe kryqtarëve apo marrëdhënia e sotme mes rrymave radikale dhe disa shërbimeve informative perëndimore janë vetëm dy prej qindra shembujve më konkretë të kësaj situate. Megjithatë ajo çfarë na nevojitet sot nuk është antagonizmi dhe refuzimi i gjithçkaje me psikologjinë e humbësit gjithnjë e më të vetizoluar, e cila thellon më tepër pazgjidhshmërinë që na rrethon, por të sfidojmë çështjet dhe t’u bëjmë ballë atyre me vetëbesim. Prandaj është e domosdoshme që të vendosen marrëdhënie me të gjitha palët, me maturi dhe besim në vetvete, pa rënë pre e atraksionit të antagonizmit, pasionit të fjalës, mjeteve apo figurave retorike dhe llafazanërisë intelektuale.

Kur çështjen e shikon nga ky aspekt, duhet që fjalën ta nisim me pyetjen si të pozicionohemi “në raport me Perëndimin” dhe jo “kundër Perëndimit”. Pasi shprehja “kundër Perëndimit” përçon antagonizëm që në origjinë të çështjes. Çdolloj pozicionimi nëpërmjet kundërshtisë do të na devijojë nga rruga jonë dhe do të rezultojë në të kundërt me dorëzim në përcaktueshmërinë e asaj që ne i bëjmë opozitë. Po ashtu kërkimi i një qëndrimi “kundër Perëndimit” është natyrisht një pozicionim i cili e vendos Perëndimin në qendër. Ndërkohë që shoqëritë joperëndimore duhet të pozicionohen duke vendosur në qendër besimet, kulturat dhe qytetërimet e tyre. Kurse në prizmin tonë, pikëpamja dhe pozita jonë duhet të përcaktohet patjetër nga Islami dhe qytetërimi i tij, nga historia dhe kultura jonë.

Mirëpo çfarë qëndrimi dhe këndvështrimi duhet të kemi në lidhje me Perëndimin në kushtet, rrethanat e sotme?

Ky diskutim në thelb nuk është një debat i ri. Ai ka një histori mbi dyqindvjeçare. Dhe vlerësimi ynë do të vazhdojë pikërisht nën dritën e këtyre eksperiencave./ trt

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne