Një parti që dikur prodhonte debat dhe kriticizëm, sot është mbushur me shpërthime nervore, inate të shtypura dhe frikë nga SPAK-u, ndërsa askush nuk guxon t’i thotë asnjë fjalë Edi Ramës, përveçse të grindet me “të vegjlit” poshtë tij…
Panorama e shpalljes së qeverisë nga Edi Rama më 11 shtator ishte një skenë klasike horrori. Ogerta Manastirliu që pati ulje glicemie pas shpalljes si kandidate e Tiranës, apo Besford Lamallari që u bë i zbehtë në fytyrë kur u njoftua se do të ishte ministër i Drejtësisë.
Ajo atmosferë mëshiruese e enturazhit të lidershipit socialist, që veneron me pahir Edi Ramën, erdhi duke u përshkallëzuar ditë pas dite. Aq shumë, sa shpërtheu haptazi kolera e inatit mes socialistëve. Replikat e frustruara mes Erion Braçes dhe Piro Lutajt, postimi i nxituar i Petro Koçit, nuk ishin të vetmet. U “rizgjuan” Arben Malaj e Ermelinda Meksi, apo ish-drejtori i RTSH-së, që bëri burg pasi e emëroi nga Amerika Olsi Rama, i cili inatin me shokun e tij dhe “palloshin” ia nxjerr pa lidhje Bajram Begajt dhe Fate Velajt.
Edhe Luan Rama, prej muajsh, ka hapur arkivin e veneracionit për figurat e vjetra, duke shprehur pakënaqësinë e tij të qartë me lidershipin e Edi Ramës, ndërsa inatin e shfryn pa lidhje tek general Bajrami, Presidenti i Republikës, njësoj si shoku i vet, ish-kryeredaktori i Zërit të Popullit.
Të gjitha këto shpërthime psikike vijnë nga figura që kanë qenë ministra, deputetë, drejtorë, njerëz me ndikim. Pra njerëz që kanë pasur mundësi reale të mbanin një qëndrim të qartë dhe të guximshëm. Në të shkuarën, në Partinë Socialiste nuk ka pasur problem që të ngrihej një kritikë direkte ndaj kryetarit, ndaj politikave apo ndaj një vendimi konkret.
Ndërsa sot, ndodh një situatë absurde: edhe pse ka njëmijë arsye kritike, askush nuk i bie në kokë Edi Ramës. Merren në mënyrë të tërthortë me figurat poshtë tij. Jo se ata nuk mund të jenë problematikë, por sepse kritika e vërtetë duhet të ngrihet mbi liderin, jo mbi marionetat.
Nuk jemi në rastin e një debati mbi vlerësim figurash, debat legjitim në vetvete, por në rastin e mungesës totale të kritikës ndaj Edi Ramës. Ashtu si dikur e bënte Ben Blushi brenda PS-së, duke shfrytëzuar oratorinë për të krijuar një mjedis kritik dhe demokratik. Por askush nuk e përkrahu atëherë Blushin; shumë e akuzuan si egoist. Sikur të kërkosh karrierë është krim, ndërkohë që karriera është objektiv normal për çdo njeri.
Por të kthehemi te realiteti. Partia Socialiste po përjeton sot një panoramë të deformuar emocionalisht. Në media doli video e Edi Ramës në Romë, i cili bërtiste ndaj drejtuesve të Ministrisë së Brendshme që të firmosnin pa vonesë tenderin e kamerave të Emirateve, edhe pse çështja ka ngecur.
Zyrtarët socialistë, të terrorizuar nga frika e SPAK, nuk firmosin asgjë. Shefi i tyre nuk mban përgjegjësi për asgjë nga ato që shpall, ndërsa administrata firmos e bëhet kurban. Gjithçka është përqendruar te ai dhe te grupi i tij i ngushtë, bashkë me suitat e nëntokës së krimit.
Motivimi për karrierë ka vdekur. Gara nuk ekziston. Meritokracia është zhdukur. Si pasojë, strukturat e PS-së janë kthyer në klane të urrejtjes së ndërsjellë, një atmosferë që vjen drejtpërdrejt nga Edi Rama dhe njerëzit e tij, si mënyrë sundimi.
Një tenxhere me presion që pritet të shpërthejë.
Ajo që ndodhi këto ditë është vetëm fillimi.
Siç ka thënë “i gjati”: “S’keni parë gjë akoma!”/Pamfleti


















