Si Xoxe dhe deputetja Klotilda Bushka manipuluan Ina Goxhaj për të fshehur provat

Klotilda Bushka, deputete dhe kryetaren e komisionit të ligjeve që po hetohet nga SPAK për pengimin e drejtësisë në hetimin e Erjon Veliajt dha sot alibinë e saj para grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Ajo pranoi se njihej prej vitesh me Erjon Veliajn dhe Ajola Xoxën, por se nuk kishte bërë asnjë veprim të paligjshëm përkundrejt dëshmitareve që e ka përmendur në SPAK.

Bëhet fjalë për Ina Goxhajn, një prej vajzave të punësuara në kompanitë e Ajola Xoxës, si ish-drejtoreshë e qendrës BYLA, e cila ka pranuar se bënte fatura fiktive për projektet që fitonte bashkëshortja e kryetarit të bashkisë së Tiranës.

Sipas Ina Goxhajt, pasi u thirr herën e parë në SPAK, Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka e kanë thirrur disa dhe e kanë këshilluar të gënjejë, madje i kanë marrë edhe celularin, që SPAK të mos kishte provat e nevojshme në hetimin që po kryente.

Megjithatë Bushka i mohoi akuzat me idenë se nuk e kuptonte se përse vajza në fjalë, që për më tepër e kishte kushërirë, i kishte bërë ato deklarata sipas saj të pavërteta.

Deklarata e Klotilda Bushkës

“Përmendja e ime dhe e bashkëshortit tim, është e vërtetë. Bashkëshorti im ofron shërbim informacioni prej vitit 2006, mirëmbajtje të shërbimit të hjostit e internetit me shërbim 16 mijë lekë. Shërbime që vlejnë në total 112 mijë lekë.

Kaq vlen dinjiteti im, 112 mijë lekë? Po familja ime, po prindërit e mi. Si t’ia shpjegoj fëmijëve të mi, familjes time?

Përsa i përket pretendimit për pengim të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë, është kushërirë e imja, është lidhje gjaku. Ina Goxhaj e kam kushërirë, e kam qetësuar të thotë të vërtetën dhe të marrë avokat, i kam shpjeguar një të afërmi të drejtat e saj. Se kam penguar të fshehë ndonjë të vërtetë. S’e di se çfarë trysnie ka ndjerë që në deklaratat tona private ajo i ka përcjellë me kontekst tjetër.

E kam këshilluar të thotë të vertetën, e kam këshilluar dhe qetësuar. I kam thënë të marrë edhe avokat, të mbrohet. Unë jam e para e interesuar të zbardhet e vertëta. E kam kritikuar që adresa e organizatës të kishte ndryshuar prej vitit 2017 dhe ia kisha kërkuar disa herë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur në SPAK dhe atë që është thënë nga ajo. Nuk jam thirrur, nuk jam dëgjuar ndonjëherë” tha Bushka.

Por versioni i SPAK është një tjetër dhe bazohet në dëshminë direkte të Ina Goxhajt. Rezulton se Ina Goxhaj ka zhvilluar disa takime me Klotilda Bushkën, Ajola Xoxën dhe disa avokatët, para se të paraqitej në SPAK për të dhënë dëshminë e saj.

Sipas dosjes, takimi i parë është realizuar më 10 Dhjetor në banesën e prindërve të Klotilda Bushkës, ku Ina Goxhaj i ka treguar Bushkës se ishte thirrur në SPAK për të dëshmuar në lidhje me hetimet për Ajola Xoxën dhe Erion Veliajn.

Takimi ti dytë është zhvilluar në një zyrë avokatie, ku Ina Goxhaj është telefonuar nga shtetasi Erald Ismaili. Në këtë zyrë avokatie, Ina Goxhaj ka rrëfyer se Klotilda Bushka e mësonte se çfarë duhej të thoshte në SPAK dhe gjërat që duhet të mohonte.

Në të njëjtin takim ka ardhur edhe Ajola Xoxa, e cila i ka marrë Ina Goxhajt telefonin e saj, ku i ka lexuar bisedat dhe më pas i ka dhënë një telefon tjetër, me pretendimin se telefonin aktual të saj do ta asgjesonin.

“Klotilda i ka treguar Inës se gjatë deklarimit duhej të thoshte që ajo (Ina) ishte nismëtare e projektit të dancit, por është marrë Harabeli me organizimin. Shqetësimi tjetër i Klotildës lidhej me adresën e selisë së BYL-A, që s’duhet të dilte që ishte shtëpia e saj. Po kështu, deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka dhënë një dokument i cili shërbente për ndryshimin e adresës së qendrës BYL-A dhe i ka sugjeruar Inës që të deklarojë që ka qenë neglizhencë e saj mosndryshimi i adresës.

Në këtë takim, është bashkuar edhe Ajola Xoxa, e cila i ka kërkuar Inës që t’ia dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte. Ina Goxhaj ka deklaruar se nuk ka dashur që t’i jepte telefonin e saj të markës Samsung A35, por është ndjerë e detyruar nga Ajola Xoxa. Deklaruesja shpjegon se Ajola Xoxa ka lexuar komunikimet e zhvilluara ndërmjet saj (Inës) dhe Adela Kondakçiut, apo e dhe me Ketrina Brahon dhe ishte e shqetësuar, por Ina deklaron se personalisht nuk u ndie në faj pasi mesazhet ishin një e vërtetë e madhe. Deklaruesja shpjegon se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo (Ina) të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më pas i ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjesonin.” – thuhet në dosjen e SPAK.

Takimin ka vijuar më pas në banesën e prindërve të Klotilda Bushkës, vetëm me këtë të fundit.

Në dëshminë e dhënë në SPAK, Ina Goxhaj ka deklaruar se Klotilda Bushka i ka thënë se nuk duhej të përmendte emrin e Ajola Xoxës apo të tregonte se si kishin funksionuar gjërat. Sipas dëshmitares së SPAK, Klotilda Bushka i ka kthyer telefonin e saj, tip “Samsung A35”, me qëllim që të kopjonte të dhënat e nevojshme dhe t’ia kthente sërisht për asgjësim.

Ina Goxhaj ka treguar se telefonin ia ka kthyer për ta asgjesuar një ditë më pas, më 12 Dhjetor. Ndërkohë, ajo shpjegon se sipas udhëzimeve të avokatit të Ajola Xoxës dhe Klotilda Bushkës, ka lajmëruar oficerët se nuk mund të paraqitej në prokurori për arsye shëndetësore.

Takimi i radhës mes dëshmitares së SPAK dhe tre personazheve të tjerë, Ajola Xoxës, Kltilda Bushkës dhe avokatit të tyre është realizuar më 14 Dhjetor, në të njëjtin ambient, ku sërish i është bërë presion për të mos treguar të vërtetën në SPAK.

“Shpjegon se në takim Klotilda, Ajola dhe Avokati dukeshin të shqetësuar se nuk kishin patur kontakte me Adelën, e cila një ditë më parë kishte qenë në Prokurori. Gjatë takimi, deklaruesja shpjegon se i është thënë që duhet të bënte rezistencë dhe të mos tregonte realitetin e situatës. Kjo shtetase deklaron se i kanë kërkuar që të mohonte çdo gjë në lidhje me Ajolën dhe Bylën etj.

Po kështu, Ina Goxhaj sqaron se gjatë këtij takimi i kanë bërë presion duke i thënë se në momentin që Ajola do të shkonte në deklarim, ajo do ta merrte vesh se çfarë kishte thënë Ina. I kanë thënë, që ata do e merrnin vesh se çfarë do të deklaronte dhe do rridhte informacioni, pasi kishin njerëz brenda Prokurorisë, dhe se do njiheshin me deklarimin e saj.” – thuhet në dosjen e SPAK.

Sipas dosjes së organit të akuzës “BYL-A” rezulton se ishte në pronësi indirekt të Ajola Xoxës dhe drejtohej nëpërmjet personave të tjerë. Kjo është vërtetuar edhe nga dëshmitë e dëshmimtarëve, ku njl prej tyre ka qenë edhe Ina Goxhaj.

“Në lidhje me BYL-A, pas vitit 2022 dhe pas projektit të ambasadës amerikane, Ina Goxhaj tregon se nga mënyra se si rodhën ngjarjet, ka kuptuar që BYL-A ishte e Ajolës. E pyetur për vendimet që merreshin te BYL-A pas vitit 2022, shpjegon se nuk vareshin nga ana suj. Tregon se ishte nënkuptuar që ishte tjetër person për vendimmarrjen. Sqaron se ajo quhet Ajola Xoxa, por me të nuk ka komunikuar drejtpërdrejtë, por nëpërmjet Adelës apo vajzave të tjera të Harabelit, të cilat i sillnin dokumentat për nënshkrim. Ina Goxhaj tregon se kishte vetëm emrin si drejtuese por pa asnjë rol.” – thuhet në dosje.

SPAK ka verifikuar deklarimet e dëshmitares Ina Goxhaj. Agjentët e BKH kanë marrë pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së ambientit dhe SPAK i ka cituar në dosje oraret fikse se kur futen secili prej personave që përmenden mësipërm në takimet e dëshmitares me Klotilda Bushkën, Ajola Xoxën dhe avokatit të tyre. Po ashtu, SPAK ka vërtetuar edhe ndërrimin e telefonit të Ina Goxhajt nga marka Samsung në Iphone.

Më tej, Ina Goxhaj ka sqaruar edhe për një takim që ka patur me Klotilda Bushkën në ambjentet e institucionit të Avokatit të Popullit, ku tregohen episodet dhe shqetësimet e deputetes socialiste.

“Deklaruesja shpjegon se ndërsa ka qenë në zyrë duke punuar, tek Avokati i Popullit, rreth orës 14:30 është lajmëruar nga shoferi i institucionit, një shtetas i quajtur Tasim, se e kërkonte dikush nga jashtë. Më pas, shoferi i ka thënë që të shkonte tek zyra e Avokatit të Popullit. Deklaruesja shpjegon se kur është futur brenda në zyrë, ka gjetur aty Avokaten e Popullit Erinda Ballanca, si dhe shtetasen Klotilda Bushka. Deklaruesja shpjegon se në momentin e parë u përshëndeta me të dyja, më pas, shtetësja Klotilda Bushka i ka shkelur syrin, gjest të cilin ajo (deklaruesja) e ka kuptuar si një sinjalizim për të mos treguar se cfarë më kishte ndodhur gjatë majit Dhjetor dhe takimet që kishte patur.

Pas disa bisedave për tema personale, deklaruesja shpjegon se shtetësja Erinda Ballanca është larguar nga zyra dhe ka mbetur vetëm me Klotilda Bushkën. Kjo e fundit ka nisur ta pyesë nëse ishte më mirë dhe a ishte qetësuar nga situata e krijuar muajin e kaluar. Gjithashtu, Klotilda Bushka e ka pyetur nëse kishte ndonjë shqetësim nga Spak-u, duke e pyetur nëse ishte thirrur përsëri. Deklaruesja i është përgjigjur se nuk ka patur asnjë lloj shqetësimi dhe është shumë e qetë.

Në vijim, deklaruesja shpjegon se Klotilda Bushka i ka thënë se kishte një merak me deklarimet në ILDKPKI që ajo vetë po bënte, duke iu referuar faturës që kishte në dosjen e saj të lëshuar nga bashkëshorti i saj Altin Bushka, për aktivitetin NATO 2022 dhe e ka pyetur se kush ka qënë në dijeni për këtë faturë. Deklaruesja i ka thënë se për këtë faturë kishte folur vetëm me Greta Kokalarin dhe më pas po ajo i kishte shkruar Altinit duke i thënë se duhet të bënte një faturë.

Deklaruesja shprehet se, meraku i Klotildës ishte nëse kjo bisedë mbi faturën në fjalë ishte bërë apo jo me Adela Kondakçiun, siç edhe në të vërtetë ka ndodhur. Megjithatë. deklaruesja e ka mohuar një gjë të tillë. Në një moment, deklaruesja shpjegon se Klotilda Bushka u shpreh duke thënë se “Adela na ka sjellë shumë pasoja dhe është një person negativ me të cilin kemi bashkëpunuar”.” – thuhet në dosje,

Ina Goxhaj ka deklarustr se Klotilda Bushka i ka thënë se nëse do thirrej në SPAK, tani do të përfaqësohej me një avokat.

“Deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka thënë “mos ki merak, për çfarëdolloj gjëje, do na kesh ne. Dhe të lutem mos fol me njeri në telefon”. Që mos fliste në telefon në lidhje me ngjarjen, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka ja ka kërkuar disa herë. Më pas, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka i ka thënë që nëse do e thërrisnin përsëri në Spak, ajo nuk duhej të tregonte sesi Klotilda ia kishte marrë telefonin. Klotilda Bushka, shpjegon deklaruesja, e ka udhëzuar që nëse do të pyetej organi procedues lidhur me telefonin, duhej të deklaronte se telefonin aktual (atë që i ka dhënë shtetësja Ajola Xoxa) e kishte prej vitesh në shtëpinë e saj dhe thjesht e ka vënë në përdorim kohët e fundit.” – thuhet në dosje.

Në fund, deklaruesja ka treguar se teksa po përshëndetej me Klotildën, kjo e fundit i ka thënë “për çfarëdolloj gjëje që të duhet, qoftë edhe për lekë, na thuaj”. /Lapsi