Siria njofton se zmbrapsi një sulm izraelit me raketa

Sipas një njoftimi të Agjencisë Shtetërore siriane të Lajmeve SANA forcat siriane të mbrojtjes ajrore zbrapsën një sulm me raketa pranë kryeqytetit të vendit, Damask.

SANA njoftoi se tre ushtarë sirianë ishin plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit, në një depo municionesh.

Izraeli nuk ka komentuar, ndonëse njoftoi se kishte qëlluar ndaj një rakete anti-ajrore siriane pas sulmeve të raportuara.

Siria njoftoi se forcat siriane të mbrojtjes rrëzuan pjesën më të madhe të raketave izraelite dhe se dëmet në depo ishin të vogla.

Ngjarja vjen vetëm disa ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Siria.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se raketat izraelite që goditën Sirinë një ditë më parë, kishin vendosur nën kërcënim të drejtpërdrejtë dy fluturime civile.

Sipas ministrisë, që nuk saktësoi se për cilat fluturime bëhej fjalë, forcat siriane të mbrojtjes ajrore kishin shkatërruar 14 prej 16 raketave izraelite që ishin lëshuar kundër objektivave të paspecifikuara pranë Damaskut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne