Irani po zhvillon bisedime me talebanët

Irani ka zhvilluar bisedime me talebanët afgan, me njohuri të qeverisë së Afganistanit, kanë njoftuar mediat iraniane, duke cituar zyrtarë të sigurisë.

Bisedimet vijnë vetëm pasi disa ditë më parë grupi militant mori pjesë në rifillimin e negociatave për paqe me të dërguarin e SHBA-së në Abu Dhabi.

Ali Shamkhani, sekretar I Këshillit Nacional të Sigurisë së Iranit, tha se bisedimet ndërmjet Iranit dhe talebanëve janë mbajtur “për të ndihmuar në frenimin e problemeve të sigurisë në Afganistan”.

Nga raportimet nuk është bërë e ditur se kur dhe ku janë mbajtur bisedimet.

Javën e kaluar në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara, u mbajtën bisedimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe militantëve taleban. Në bisedimet tre-ditore që filluan më 17 dhjetor, morën pjesë gjithashtu Arabia Saudite dhe Pakistani vende që kanë ndikim të rëndësishëm mbi talebanët.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad tha se ndërsa ishte i sigurt se qeveria afgane donte t’i jepte fund konfliktit, ishte e paqartë nëse talebanët ishin “duke kërkuar paqe”.

Bisedimet u konsideruan si një hap i rëndësishëm për të nisur negociata zyrtare të paqes me talebanët për t’i dhënë fund luftës në Afganistan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne