Opinion

Situata e Covid-19 po menaxhohet përmes ERTV dhe rrjeteve sociale, ekspertët: Është zhdukur koncepti i shtetit!

Nga Erisa Kryeziu

Situata e pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19 ka ndryshuar mënyrën e jetesës së shoqërisë sonë. Bashkë me jetesën ndryshuan edhe diskurset politike të drejtuesve tanë kundrejt publikut.

Informacioni tashmë është përqendruar më së shumti rreth të njëjtës temë: virusi korona.

Mbizotëruesi i komunikimit publik në këto ditë është Kryeministrit Rama, i cili ka qenë dinamik edhe më herët se marsi i këtij viti, por kjo situatë e ka centralizuar informacionin e përgjithshëm në faqen e tij në Facebook.

Nga një vëzhgim i kryer nga data 9 mars 2020 deri në datën 31 mars 2020, vihet re se Kryeministri Rama dhe “televizioni” i tij online ERTV janë kthyer në burimin kryesor zyrtar informacionet, masat dhe kufizimet për shkak të pandemisë.

Ajo çka vihet re në këto njoftime është se janë njoftime për vendimet e Qeverisë dhe pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë dokument zyrtar shoqërues që vërteton këtë fakt. Përjashtim bëjnë rastet e vendimit për shtyrjen e kësteve kreditore në banka dhe vendimin e Këshillit të Ministrave për financimin e parë të Programit të Rindërtimit për Arsimin (që është jashtë kontekstit momental).

Nëse do të shikojmë faqen e tij në Facebook, dallojmë që nga 9 Marsi deri më sot se ka 307 postime, të gjitha të lidhura me situatën e shkaktuar nga virusi Covid-19.

Vetëm komunikimi online i Kryeministrit Rama përmes Facebook, pra daljeve të tij qoftë me kostum zyrtar ose jo, llogaritet në 1423 minuta, ose përafërsisht 24 orë komunikim online me video.

Ndërkohë numri i postimeve të hedhura në faqen e tij Facebook, varion nga 9 deri në 19 postime në ditë.

Ekspertët: Komunikimi politik i Ramës zhduk kontektin e shtetit

Komunikimi politik i Kryeministrit Rama tashmë është i njohur për ekspertët e komunikimit dhe për vetë mediat, pasi një ndër mekanizmat e këtij komunikimi, ashtu sikundër u vërejt edhe nga vëzhgimi i muajit mars, është heqja e rolit të mediave si ndërmjetës dhe verifikues i informacionit që qeveria i përcjell publikut.

Për ekspertin e komunikimit Elvin Luku, njëkohësisht pedagog në Universitetin e Tiranës, ky komunikim ka qenë strategjia e Ramës dhe nuk është dicka e re në realitetin politik shqiptar.

Elvin Luku, ekspert komunikimi

Së pari, duhet thënë se që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe akoma më shumë tashmë gjatë qeverisjes si kryeministër, Edi Rama ka patur dhe ka një sens protagonizmi të theksuar, i cili u vu re dhe në momentin e dërgimit të mjekëve në Itali ku gjithë vëmendja u përqendrua te ai dhe jo te doktorët-misionarë. Duhet evidentuar se ai zotëron aftësi të mira si në artikulim ashtu dhe në gjuhën trupore”

Sipas Lukut tashmë qeverisja është në formën e një piramide, ku cdo gjë kontrollohet dhe drejtohet prej tij.

“Shembulli më i mirë për këtë është platforma për bashkëqeverisjen, e cila, në thelb nxjerr në pah “motorin” e ndryshkur qeverisës, që vajiset nga kreu i qeverisë pas mesazheve që merr nga qytetarët. Edhe marrja e një autorizimi për leje-daljet ditët e sotme është e centralizuar, ndërkohë që në lojë mund të ishin futur kompanitë celulare për të shmangur dhe kaosin me ngarkesat e platformës “e-albania”.”

Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, sqaron se komunikimi i shtetit tanimë, po vjen përmes platformës WhatsApp dhe telefonit.

“Ne po shndërrohemi gradualisht në një shtet që komunikon me Ajfon e drejtohet me

Koloreto Cukali, Këshilli Shqiptar i Medias

Uatsap. Pra, shteti ynë është virtual. Kjo ka krijuar një dualizëm të realitetit: ai i FB së Kryeministrit dhe ai i përditshmi. Unë dyshoj që ky dualitet do mund të bashkëjetojë gjatë. Do vijë një ditë që hendeku mes virtuales së FB të z. Rama dhe reales së pjesës më të madhe të shqiptarëve do duket qartë.”

Për Elvin Luku-n shqetësim thelbësor përbën varësia që kanë mediat nga politika.

“Shqetësimi im lidhet me varësinë e mediave, veçanërisht ato kombëtare, për të publikuar dhe transmetuar çdo postim të kreut të qeverisë, duke u kthyer në një altoparlant të politikës së tij.”

Kjo metodë komunikimi,ku individi identifikohet me shtetin, për Koloreto Cukalin sjell zhdukje të konceptit të shtetit dhe përqendrim të vendimmarrjes në një person.

“Kjo metodë komunikimi sjell 2 probleme të mëdha: Problemi afatgjatë i kësaj mënyre komunikimi është që në perceptimin publik zhduk ekzistencën e shtetit. Pra, shteti ekziston për aq sa ka vëmendje lideri, dhe shteti “përfundon” kur bie lideri. Në plan afat-gjatë ky mentalitet pengon ngritjen e stabilizimin e nocionit të shtetit në plan emocional e perceptiv të publikut. Në mendjen tonë, nuk themi “qeveria ka thënë” por “Rama ka thënë”.

E dyta, kjo metodë komunikimi tregon përqendrim të vendim-marrjes në një person të vetëm dhe eleminimin e institucioneve përgjegjëse. Institucionet nuk ngrihen e nuk forcohen sepse nuk i lënë direktivat që vinë nga “lart”, ku Kryeministri na shfaqet dhe më kompetent se institucionet. Edhe publiku nuk i merr seriozisht institucionet reale, sepse e kupton që ato nuk kanë as peshë e as vlerë reale në vnedim-marrje. Pra, institucionet shkatërrohen de facto.“  / Citizens Channel/

OPINIONE

INTERVISTA