Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri në disa bashki të vendit, prej të cilave 5 mbeten ende aktive. Zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis.
Bashkitë e Prekura
Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Rrogozhinë, Tiranë, Kamëz, Dimal, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Librazhd, Belsh, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Pogradec dhe Korçë.
Deri më tani, janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe, si dhe 20 rrënjë ullinj.
Vatrat ende aktive
Qarku Dibër – “Livadhi i Peladhisë”, Bulqizë
Zjarri ka pasur intensitet të ulët, pa rrezik për përhapje në zonat pyjore. Deri më tani janë djegur rreth 19 hektarë. Në terren janë angazhuar 8 efektivë të zjarrfikëses, 6 të shërbimit pyjor, 4 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë. Sot, situata po mbahet nën kontroll nga 4 forca të tjera operacionale.
Parku Kombëtar Lurë – “Liqeni i Luleve”, Dibër
Zjarri në një sipërfaqe me dushqe është përhapur në disa fshatra përreth: Hemenraj, Murroj, Çek, Memollaj dhe Berdajt. Janë përfshirë rreth 20 ha, ndërsa disa banesa janë rrezikuar. Në operacion janë angazhuar 17 efektivë zjarrfikës, 20 forca bashkiake, 10 vullnetarë dhe një helikopter i FA.
Qarku Elbasan – “Mal Plak”, Librazhd
Zjarri në një zonë pyjore vijon të mbahet nën kontroll nga 1 mjet zjarrfikës, 8 efektivë dhe 10 vullnetarë. Shkaku i rënies mbetet i panjohur.
Qarku Korçë – Fshati Udenisht, Pogradec
Zjarri është riaktivizuar në një zonë me pyll pishe dhe shkurre. Forcat vendore të MZSH dhe AdZM janë në terren për shuarjen e tij. Në total janë angazhuar 459 forca zjarrfikëse, ushtarake dhe vullnetare, 38 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë për mbështetje ajrore.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot nuk priten reshje atmosferike. Rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet: Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, ndërsa në qarqet e tjera rreziku është në nivel të moderuar, me disa zona të lokalizuara me rrezik të lartë, si Shkodër (jug), Kukës (jugperëndim), Korçë (veri)
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarre në natyrë dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë përhapjen e flakëve. Në rast zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Vetëm me bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithëve mund të mbrojmë mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve./Bw


















